Nga Vermoshi në Konispol, Shqipëria ofron bukuri natyrore të veçanta, shumë pak të eksploruara.
Rekordin e mban zona e Vlorës me 3 fshatra në renditje, pastaj Korça me 2, etj.
Kush ka kohë dhe mundësi, nuk ka pse të mos i vizitojë dhe t’i shijojë, përpara se të mahnitet me bukuritë e botës.
1-Vermoshi, Kelmend – Vermoshi, pika më veriore e Shqipërisë, një fshat malor i Alpeve Perëndimore, që ndodhet 95 km në veri të Shkodrës në krahinën e Kelmendit. Bukuria e natyrës shfaqet që në Qafën e Rrapshit, ku peizazhi i bukur malor përshkohet nga gjarpërimi i kristaltë i Lumit të Cenit. Vermoshi ndodhet në një pllajë 1,100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga faqe të thepisura plot gjelbërim. Ngjitjet malore, shëtitjet apo edhe peshkimi i troftës së egër janë disa nga mënyrat më tërheqëse për të shijuar qëndrimin në bukuritë e fshatit alpin. Fshati spikat për bulmetrat karakteristikë dhe natyrisht mikpritjen proverbiale të gjithë zonës së Kelmendit.
2-Valbona, Tropojë – Valbona, një fshat alpin që ndodhet 25 km nga Bajram Curri në luginën e Valbonës, në pjesën lindore të Alpeve të Shqipërisë. Fshati Valbonë ose siç quhet ndryshe, Selimaj, është qendra më e rëndësishme e banuar e luginës dhe njëherazi njëra nga pikat turistike më tërheqëse të Shqipërisë së veriut. Kullat karakteristike dhe natyra e papërsëritshme e luginës së Valbonës janë në një harmoni mbresëlënëse, ku madhështisë së natyrës i është përshtatur dora e njeriut me banesat shekullore prej guri. Bujtinat e këndshme, ushqimi tradicional: mazja, flija, mjalti, djathi apo mishi, peizazhet magjepsëse alpine, uji i kthjellët i Valbonës, perëndimet e mrekullueshme apo edhe thjesht ashpërsia e natyrës, mundësitë për ngjitje malore, udhëtimet aventureske me kanoe, shëtitjet e paharrueshme përgjatë Valbonës, burimet e mahnitshme të lumit, gjithçka e bën Valbonën, lumin dhe fshatin, një nga destinacionet më të veçanta të Ballkanit.
3-Thethi, Shkodër – Thethi ndodhet 70 km larg Shkodrës, ku rruga kulmon në 2000 metra lartësi në Qafën e Tërthores. Fshati i bukur alpin rrethohet nga male të larta që arrijnë deri në 2,500 m lartësi dhe ofron pamje të mrekullueshme brenda e përreth tij ku kullat shekullore tanimë të restauruara e të rikthyera në bukurinë e tyre origjinale, mirëpresin qindra e qindra turistë vendas e të huaj. Kulla e Koçekëve dhe sa e sa kulla të tjera janë dëshmi të gjalla të historive të shekujve. Teksa largohesh nga qendra e fshatit drejt bukurive të tjera alpine, kullat e lagjes së Grunjasit, lagjes më të vjetër të Thethit, të shpien mes lartësish të thepisura drejt ujëvarës së Grunjasit, që ndodhet në 900 m lartësi, tek ura e vjetër prej druri me një pamje të mrekullueshme ku lumi humbet mes shkëmbinjve malorë. Natyra e larmishme alpine e Thethit ofron mundësinë e ngjitjeve malore, peshkimit apo thjesht shëtitjeve relaksuese. Natyra e bukur, fauna e pasur, arkitektura alpine, ushqimet karakteristike, ku trofta e egër natyrisht nuk mund të lihet pa u shijuar, relaksi, gjithçka e bën Thethin një atraksion turistik të papërsëritshëm edhe në këta muaj të vjeshtës.
4-Lini, Pogradec – Lini, një fshat i mrekullueshëm gadishullor që ndodhet në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit. Rrugina të bukura, ku ngrihen shtëpi karakteristike me gurë e tulla, shtëpi që lartohen buzë ujit, oborre me pjergulla, një mjedis i mrekullueshëm, ku liqeni dhe fshati janë pjesë të pandara nga njëri-tjetri. Bazilika e fshatit, një ngrehinë e shekullit të 7-të pas Krishtit, mozaikët e hershëm, historia qindravjeçare, kuzhina karakteristike, ku peshku zë vendin kryesor, dhe natyrisht liqeni dhe bukuritë e arkitekturës dhe rruginave janë atraksionet e veçanta të fshatit gadishullor që e bëjnë Linin një destinacion të paevitueshëm për të gjithë ata që kërkojnë relaksin dhe largimin nga e përditshmja e jetës së qytetit.
5-Voskopoja, Korçë – Voskopoja, një nga qendrat më të rëndësishme të historisë së Ballkanit, ndodhet rreth 21 km nga qyteti i Korçës. Fshati ngrihet mbi një pllajë në 1160 metra mbi nivelin e detit. Voskopoja i ka fillimet e saj në vitin 1330 dhe arriti kulmin e zhvillimit në fundin e shekullit të 18-ë me në popullsi prej 30,000 banorësh. 8 nga 27 kishat mesjetare të Voskopojës kanë mbetur ende në fshat: Manastiri i Shën Prodhomit, Kisha e Shën Kollit, Kisha e Shën Thanasit apo Kisha e Shën Ilias, ku mund të admironi pikturat e mrekullueshme murale të piktorëve të famshëm korçarë si David Selenica apo vëllezërit Zografi. Bukurive të natyrës, historisë së pasur, kishave me arkitekturën dhe artin e tyre u shtohen edhe hotelet dhe shtëpitë e bukura që ofrojnë kushte të përshtatshme për të gjithë ata që duan të kalojnë pushime të veçanta larg zhurmës dhe ritmit marramendës të qytetit në këtë sezon të vjeshtës.
6 – Dardha, Korçë – Një fshat i mrekullueshëm malor që ndodhet 20 km në juglindje të Korçës e që ngrihet në 1,350 m lartësi. Rruga tanimë e përfunduar të shpie mes shtëpive karakteristike me mure me gurë dhe rrugëve të gurta. Bukurive arkitekturore u shtohen edhe mjediset e bukura tradicionale të interiereve të shtëpive, bukuritë e natyrës brenda e përreth fshatit, por natyrisht edhe ushqimi karakteristik, ku lakrori i shijshëm i shoqëruar me rakinë e kumbullës apo me dhallën dardhare është një atraksion i paevitueshëm i identitetit të fshatit. Në fundjavë, fshatit i rikthehet gjallëria, pasi shumë banorë të Korçës apo rrethinave, si edhe vizitorë nga Tirana apo qytete të tjera preferojnë ta kalojnë fundjavën në Dardhë.
7-Bënja, Përmet – Nëse shkoni në Përmet, qytetin e luleve, shtëpive të vjetra karakteristike dhe kishave të bukura mesjetare, natyrisht që një destinacion i paevitueshëm është Bënja, që ndodhet vetëm 3 km larg Përmetit. Shtëpitë e bukura, kisha ortodokse e shekullit të 18-ë, natyra e virgjër dhe ujërat termale e kanë kthyer Bënjën në një destinacion të mrekullueshëm turistik gjithëvjetor. Ura e gurtë e Kaikut mbi lumin e Langaricës është një atraksion tjetër i bukur që paraprin bukurinë e të papriturave të kanioneve të Langaricës. Bënja natyrisht që njihet edhe për ushqimet karakteristike përmetare që u japin shije ditëve tuaja të paharrueshme në këtë perlë të mirëfilltë të Përmetit.
8 – Dhërmiu, Vlorë – Dhërmiu ndodhet 42 km në jug të Vlorës dhe thuajse në të njëjtën largësi në veri të Sarandës. Fshati ngrihet në faqe të malit rreth 200 m lartësi. Pranë Dhërmiut ndodhet Shpella e Piratëve. Fshati turistik njihet për kishat e bukura mesjetare: Manastiri i Shën Marisë, Kisha e Shën Todhrit, Kisha e Shën Mitrit me pikturat murale të shekujve të 12-ë dhe 14-ë dhe natyrisht për jetën e natës, restorantet, pabet, diskotekat. Kuzhina karakteristike, gatimet e peshkut, hotelet e shumta, plazhet e bukura me gurishte dhe bukuritë e natyrës malore e bëjnë Dhërmiun një destinacion të veçantë për të gjitha moshat edhe në këtë periudhë të vjeshtës.
9-Vunoi, Vlorë – 6 km në jug të Dhërmiut ndodhet Vunoi, që ngrihet në një kodrinë në lartësi 176 m mbi nivelin e detit Jon. Kisha e Shën Spiridhonit, ndërtuar në fundin e shekullit të 18-ë, Kisha e Mesodhias, me pikturat murale të pas-viteve 1780, rrënojat e shtëpisë së Odhise Kasnecit, kulla e Shane Kotes dhe natyrisht plazhi i Jalës, me ujin e kristaltë, rërën dhe bimësinë e tij të larmishme, janë disa nga pikat më domethënëse të Vunoit. Shtëpitë e gurta dhe rruginat me pllaka guri, bukuria e natyrës, pamjet e bukura detare, ullishtet dhe pemët e shumta frutore, kishat mesjetare, gjithçka e bën Vunoin një destinacion të veçantë për turistët edhe në sezonin e vjeshtës.
10 – Fterra, Vlorë – Fterra ndodhet 10 km në verilindje të Borshit, në krahinën e Kurveleshit. Me ndarjen e re territoriale, Fterra bën pjesë në Bashkinë e Himarës.
Fshati ndodhet në lartësi 200 – 250 m mbi nivelin e detit. Shtëpitë karakteristike ngrihen mes një peizazhi të gjelbëruar e faqesh malore. Shtëpitë e gurta mbulohen me pllaka guri, një traditë thuajse unike e fshatit e ruajtur në shekuj. Portat e tyre kanë mbulesë guri dhe rrethohen nga korniza guri. Në oborret e shtëpive rriten lule, fruta dhe perime.
Ambientet shtëpiake ruajnë qilimat e prodhuara me dorë nga banoret e fshatit. 45 burimet me ujë të ftohtë, që mbajnë secili nga një emër të veçantë, si edhe shpellat e shumta janë dy nga atraksionet më mbresëlënëse të Fterrës. Shpella e Kazhanit, Shpella e Buçkes, Shpella e Guvës, Shpella e Gjolekës dhe Shpella e Zanes spikasin për karakteristikat dhe përmasat e tyre të veçanta. Nëse dëshironi të shijoni bukuritë e natyrës dhe fshatit, të zbuloni shpellat e paeksploruara, të pini ujin e burimeve, të përhumbeni e të largoheni për disa ditë nga jeta e qytetit, Fterra është një destinacion krejt i veçantë.