Kjo është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët anekënd botës, sepse sot festojmë 106-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Dhe në kuadër të kësaj dite në studion e “Rudina” ishin të ftuara “10 Shqiponjat e Tërbaçit” dhe Albert Habazaj, bibliograf, poet, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit.
Ato janë 10 gra, 8 prej të cilave janë bija të fshatit Tërbaç të Vlorës, ndërsa 2 të tjera janë nuse në këtë fshat. Ato janë bashkuar para 2 vitesh për të formuar një grup polifonik, të cilin e kanë quajtur “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Të gjitha ato janë nëna, madje disa prej tyre dhe gjyshe dhe kanë vendosur të rizgjojnë traditën e hershme të këngës labe të grave tërbaçiote. Ky grup i polifonisë femërore labe sot është unikal.
Shpresa Kapo Çelaj, Liri Gaçe Shkurtaj, Vito Shiroku Vera, Evgjeni Habili Seferi, Liljana Rrapaj Kapo, Antoneta Goxho Mehmeti, Hava Çelaj Muçaj, Lavdie Goxho Xhaka, Meme Ribaj Habazaj dhe Fatmira Hodo Skëndaj ishin anëtaret e grupit, të cilat gjatë emisionit rrëfyen historinë e krijimit të grupit.
“Kemi qenë në klasë të 3-të kur ka nisur historia e krijimit të grupit. Kam qenë bashkë me Lirien dhe Albertin në një klasë. Rapsodi i Tërbaçit zgjodhi zërat më të mirë që quhej “Fatosat e Tërbaçit”. Kështu nisi, edhe në gjimnaz krijuam një tjetër grup. Por më pas u shkëputëm për disa kohë, sepse secili nga ne mori drejtime të tjera në shkollë. Më vonë e diskutuam dhe bëmë një thirrje dhe të gjitha anëtaret e grupit që janë sot ishin të gatshme për t’u bërë pjesë. Rezultuam mirë”, tha Shpresa Kapo Çelaj.
Ndërkohë Meme Ribaj Habazaj shtoi: “Tërbaçi është një fshat plot me ngjyra, me të gjithë ngjyrat e jetës. Është i bukur jo vetëm në natyrë, por edhe në njerëz dhe kjo na ka bërë ne që t’i bashkohemi grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”./tvklan.al