Sot bëhen 10 vite nga tragjedia e Himarës ku 13 persona humbën jetën pas një aksidenti gjatë udhëtimit drejt Sarandës. Ishte ora rreth 16 e 15 minuta kur autobusi me studente po ecte në drejtim të Sarandës në kuadrin e një ekskursioni, një udhëtim që u pre në mes…
Si pasojë e asaj tragjedie, gjetën vdekjen 11 studente të vitit të tretë dega Gjuhë-Letërsi, i fejuari i njërës prej të rejave, si dhe drejtuesi i autobusit, ndërsa mbetën të plagosura 22 studente të tjera. Pavarësisht se kanë kaluar shumë vite familjarët e viktimave kërkojnë që drejtësia të vihet në vend.
Prindërit e studenteve të ndjera vijojnë luftën për të gjetur drejtësinë e munguar, e cila është një peng për ta. Hasan Stafa, babai i Dorina Stafës, njërës prej viktimave, shprehet se dhe sot pas 10 vjetësh nuk ka drejtësi për tragjedinë pasi në raportin e Policisë dhe Prokurorisë, fajtore është rruga, pasi shoferi vetë e ka humbur jetën në atë aksident.
Hasani dhe prindërit e viktimave kërkojnë përgjigje nëse mjeti ka qenë i kolauduar sipas rregullave, nëse autobusi ka qenë i shoqëruar me eskortë policie siç e kërkon ligji, pse shoferi fill pas kthimit nga një udhëtim dyditor nga Turqia është nisur për të dërguar studentët në ekskursion kur kjo është e ndaluar me ligj.