10-vjeçares në Cërrik i rrezikohet jeta – Sëmundja i prek zemrën

Në këtë banesë thuajse të rrënuar ku çatinë e zëvendëson një copë plastmas jetojnë 3 anëtarët e familjes Rrethi në fshatin Gjyrale të Cërrikut.

Një banesë ku çdo ditë pjesë të saj shemben pak nga pak e mund të lëndojë çdokënd brenda saj.

Varfëria e ka kapluar këtë familje. Barra më e rëndë është për kryefamiljarin Landi, i cili duhet të sigurojë të ardhura për të mbajtur familjen.

Ai kryen punë të vogla në fshat e prej tyre mund të marrë vetëm 2 mijë lekë të vjetra të cilat nuk i dalin as për të blerë një thes miell.
Problemet për familjen Rrethi nuk kanë të sosur. Vajza e tyre Grabiota 10 vjeçe vuan nga një sëmundje e rëndë.

Sëmundja që i ka prekur zemrën po ia rrezikon çdo ditë e më shumë jetën. Me 40 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike nuk mjaftojnë që ajo të kryejë trajtime më të specializuara për zemrën.

Me lot në sy nëna e vajzës shprehet se nuk mund t’i sigurojë asgjë vajzës.
Edhe pse kanë kërkuar disa herë ndihmë në Bashki, ata thonë se premtimet kanë qenë të shumta por askush nuk i ka ndihmuar.

Familja Rrethi në fshatin Gjyrale të Cërrikut apelon për ndihmë. Një ndihmë për të shpëtuar vajzën e tyre, një ndihmë për të dalë nga varfëria që i ka mbërthyer.-(BalkanWeb)

Loading...