100-vjetori i epopesë së lavdishme të luftës së Vlorës!/ ‘Rroka armët e u turra…këtu burri vlen shtatë burra’

Nga Genc Demiraj
U festua sot, këtu në Vlorë, 100-vjetori i epopesë së lavdishme të luftës së Vlorës.
U festua e përkujtua me një sërë aktivitetesh, dhe shumë mirë u bë. Sepse e kujtuam atë luftë historike më shumë se sa për vehte, për fëmijët dhe të rinjtë tanë që ndoshta as që e kanë idenë se për ç’luftë bëhet fjalë !
Pse është luftuar dhe kundër kujt është luftuar ?
Ndoshta e dëgjojnë sot dhe e mësojnë që të parët e tyre i ngritën armët italianëve që u kishin zënë Vlorën. Luftuan dhëmbë për dhëmbë me një nga ushtritë më të mëdha të kohës, dhe i hodhën në det.
Dhe çliruan Vlorën, duke shmangur me dhunë aneksimin e saj me Italinë.
Kaq besoj se mund ta mësojnë.
Dikush ndoshta edhe më kuriozi, që njohuritë e tij rreth ngjarjes së madhe i ka plotësuar më parë edhe me lëçitje librash është ndjerë mirë që është festuar ky 100 – vjetor sot, sepse edhe është çuditur kur ka dëgjuar apo dëgjon ndonjë politikan a historian, që me zbukurime termash diplomatike, italianët e ’20 – ës i ka quajtur, jo pushtues por mbrojtës nga copëtimi ballkanik ! Duke shmangur me elegancë që të parët e aletëve të sotëm në NATO, ti quajnë pushtues…pra armiq !
Ndaj , të lëçiturit kuriozë të brezit më të ri të vlonjatëve të sotçëm, na kujtojnë poetin që në ato kohëra shkruante :
Rroka armët sheshit dola,
milion dyzetëve u fola.
A do hiqeni si miq, a më prisni si armiq ?
…Jashtë ! i thash, i thash, i thashë…
Nuk dëgjoi e un’i rashë.
…E festuam sot, 100-vjetorin e Luftës së Vlorës dhe shumë mirë bëmë, sepse rikujtuam burrat e shquar dhe patriotë të Vlorës që për interesa kombëtare sakrifikuan duke shkrirë jo vetëm pasurinë por edhe jetët e tyre.
Bëmë në një farë mënyre me mendjen tonë atë krahasimin “idiot” , të burrave të atdheut 100-vjet më parë… me burrat e mëmëdheut të sotëm, që para çdo të huaji i ulin brekët në fund të këmbëve !
Nuk kishim ç’bënim, na grishi përjetimi historik, që me imagjinatën tonë ti vinim ballë për ballë të dy palët, ata të moçmit dhe këta të sotçmit.
Ata të parët :
Rroka armët e u turra…
këtu burri vlen shtatë burra !
Andej është miz e lisit,
këtej është lul’e fisit.
Këta të sotçmit :
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar.
Dallavera me të huaj, dallavera me shqiptarë…
Dhe për një kërkon pesë, po më mirë njëzet e pesë
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë.

Loading...