107 të vdekur për 11 muaj në aksidente trafiku

Për 11 muaj në Kosovë nga aksidentet në trafik kanë humbur jetën 107 persona, si dhe kanë mbetur të lënduar shumë të tjerë. Vlerësohet që mosangazhimi i duhur nga institucionet përgjegjëse është njëri ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e aksidenteve me fatalitet.
Dhjetë persona kanë humbur jetën vetëm gjatë muajit të kaluar (nëntor) në aksidente të ndryshme trafiku në vend. Ndërsa nga janari deri në tetor të këtij viti 97 veta kanë humbur jetën në aksidente të tilla në Kosovë.

Numri i madh i aksidenteve me fatalitet ka shqetësuar zyrtarët në Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët kanë apeluar për kujdes më të shtuar në trafik. Ata kanë bërë të ditur që janë duke punuar në ndërmarrjen e masave të nevojshme për sigurinë në trafik, si dhe për menaxhimin e rrugëve.

Në anën tjetër ndonëse në Kosovë ndodhin aksidente çdo ditë me të lënduar e të vdekur, zyrtarë nga Klinika e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) statistikat e aksidenteve nuk i kanë cilësuar shifra enorme.

Ndërsa njohësit e çështjes së sigurisë kanë përmendur disa nga masat që duhet të ndërmarrin institucionet për zvogëlimin e numrit të aksidenteve e ku kanë veçuar rivlerësimin e shoferëve të cilët kanë dhjetë pikë negative./LAJMI.NET/

Loading...