Historia e Kallaratit, është e mbushur plot me akte trimërie e heroizmi, ashtu si gjithë historia e trevës së Labërisë dhe e krejt Shqipërisë.
“Kallarati, fshat i paktë/ trima burrat, trime gratë”, thotë poeti. Sepse populli i Kallaratit nuk e ka pranuar dhe nuk e ka duruar asnjëherë sundimin dhe pushtimin e huaj. Edhe në korrikun e 1914-ës, populli i Kallaratit nuk mund t’i duronte dot andartët grekë, që cilët donin të pushtonin dhe shkatërronin fshatin tonë.
Në këtë qëndresë dhanë jetën 5 dëshmorë:
Hyso Balil Xhaferi,
Murat Avdul Demiri,
Çelo Maliq Boshi,
Dervish Sali Maçi,
Ramadan Hoxha.
Pesë të tjerë, Muço Karabolli, Sali Maçi, Yzeir Medini, Maliq Boshi dhe djali i tij vdiqën të internuar në Greqi.
U plagosën 8 vetë: Cane Demir Demiri, që vdiq nga plagët e marra, Rexhep Bego Mataj, Lulo Abaz Gjoni, Nebo Qejvani, Isa Sejdin Petani, Fein Çelo Strati, Demir Avduli Demiri, Xhebro e Hito Boçaj.
Kanë kaluar jo pak vite, por 106 të tillë dhe jeta, kontributi i tyre kujtohet me mjaft krenari, ashtu siç kujtohet jeta dhe vepra e gjithë dëshmorëve kallaratas të Luftës së 1920-ës, Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e deri te dëshmori i fundit i periudhës së demokracisë, të cilët e kanë radhitur Kallaratin përkrah fshatrave të tjerë të Vlorës, Labërisë dhe krejt Shqipërisë, si kontribuues i lirisë dhe pavarësisë popullit tonë.
106 vjet më parë, në mëngjesin e 14 korrikut 1914 fshati ynë u zgjua jo nga zhurmat e zakonshme të jetës në paqe, po nga krismat e armëve dhe shpërthimet e bombave.
Gratë dhe fëmijët u ngritën të lebetitur, pa kuptuar ç’ndodhte, kurse burrat, që e prisnin sulmin e andartëve, rrëmbyen pushkët dhe zunë muret e avllive e ledhet e arave.
Nënat dhe gjyshet mblodhën ç’plaçka mund të ngrinin dhe, me fëmijët për dore, braktisën shtëpitë, duke zbritur poshtë, drejt përroit të Morrezës.
Pamje më rrëqethëse nuk ishin parë: plaka e pleq të rënduar nga mosha, gra të ngarkuara, nuse me djepe e foshnja në krahë, fëmijë iknin për të mos rënë në duart e barbarëve të rinj të Ballkanit. Iknin, po me sytë e mendjen prapa, ku mbetën meshkujt e aftë për të mbajtur armë dhe gra trime për t’i ndihmuar e për t’u lidhur plagët.
Kanë qenë skena që populli i anëve tona i pat përjetuar edhe gjatë pushtimeve të mëparshme, po me ndryshimin se barbarët nuk vinin nga fusha, si herët e tjera, po zbrisnin nga mali, që kësaj here nuk i mbrojti dot banorët e vet.
Letërsia shqiptare e as kinematografia jonë nuk kanë arritur t’i rindërtojnë ato skena për t’ua lënë brezave të rinj si dëshmi se nëpër çfarë vuajtjesh ka kaluar populli ynë për të arritur të jetojë i lirë e i pavarur. Megjithatë, ka ende dëshmi të gjalla dhe dokumentet historike që flasin për atë ngjarje.
Burrat e fshatit tonë, që nga fundi i nëntorit 1912, kur forcat greke të vendosura në Himarë u përpoqën të pushtonin Kallaratin, Kuçin e Bolenën, kishin mbajtur pjesën e tyre të frontit nga Gjothanasi në Bogonicë. Lart në Gjothanas, ata u kishin bërë ballë për gati dy vjet sulmeve të grekëve. Më 14 prill 1914, në një luftë të rreptë dhe të pabarabartë, “kallarat ia bënë forra”, duke i detyruar grekët të tërhiqen. Gjothanasi u skuq nga gjaku i Murat Avdul Demirit e Çelo Boshit, që dhanë jetën, dhe i Demir Avdulit, i cili, së bashku me djalin e tij Canen, u plagosën.
Por, më 28 qershor të atij viti të mbrapshtë, qeveria e princ Vidit, duke mos mundur t’i ndihmonte me armë e nozullime forcat shqiptare që luftonin kundër ushtrisë greke dhe bandave të andartëve, urdhëroi që mbrojtësit të tërhiqeshin në thellësi dhe popullsia të largohej drejt Vlorës e Beratit për t’u shpëtuar raprezaljeve.
Duke mos hasur në qëndresë të organizuar, fuqia greke më 14 korrik hyri në Kurveleshin e Sipërm dhe, po atë ditë, një forcë prej 300 ushtarësh e andartësh, të veshur të gjithë me rroba civile, u shfaq në kufijtë perëndimorë të Kallaratit, duke sulmuar nga disa drejtime.
Të gjithë burrat e fshatit, sado të paktë në numër, arritën ta ndalnin përparimin e grekëve, duke u shkaktuar të plagosur e të vrarë, ndër këta edhe komandantin e tyre. Luftonin një grusht burrash të armatosur keq, një pjesë e të cilëve nuk kishin rënë në luftëra më parë, kundër një armiku shumë më të madh në numër, të armatosur mirë dhe të stërvitur për luftë.
Pas riorganizimit të forcave, armiqtë u hodhën sërish në sulm, duke arritur të marrin anët e fshatit dhe të përparojnë drejt qendrës së tij. Zjarri i armëve, flaka e shtëpive që po digjeshin dhe vapa e korrikut bashkë ndezën edhe gurët; Gryka e Honit gjëmonte dhe mali i Bogonicës ushtonte nga krismat e armëve.
Megjithëse dy nga udhëheqësit e qëndresës, Hyso Xhaferi e Ramadan Hoxha, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, ndër ta edhe i riu Dervish Maçi, që vdiq pa arritur në spital, burrat e Kallaratit nuk luajtën nga pozicionet. Vetëm kur u pa se armiku po përpiqej t’i fuste në darën e rrethimit dhe t’i masakronte të gjithë, komisioni drejtues i luftimeve dha urdhër për t’u tërhequr drejt anës veriperëndimore, që kishte mbetur pa u zënë nga armiku.
Pas dy ditë luftimesh të përgjakshme, më 15 korrik fuqia armike arriti ta pushtonte fshatin, duke grabitur e djegur të gjitha shtëpitë e tij. Tymi dhe flaka e shtëpive që digjeshin mbuluan brinjën. Fshati më i bukur i Lumit të Vlorës u kthye në gërmadhë.
Në këtë luftë dyvjeçare, Kallarati humbi njëmbëdhjetë vetë dhe pësoi humbje të mëdha pasurore.
U vranë në luftime pesë vetë:
Çelo Maliq Boshi,
Dervish Sali Maçi,
Hyso Balil Xhaferi,
Murat Avdul Demir,
Ramadan Hoxha;
Pesë të tjerë, Muço Karabolli, Sali Maçi, Yzeir Medini, Maliq Boshi dhe djali i tij vdiqën të internuar në Greqi. U plagosën 8 vetë: Cane Demir Demiri, që vdiq nga plagët e marra, Rexhep Bego Mataj, Lulo Abaz Gjoni, Nebo Qejvani, Isa Sejdin Petani, Fein Çelo Strati, Demir Avduli Demiri, Xhebro e Hito Boçaj. Shumë të mëdha qenë dëmet materiale. Andartët dogjën e bënë shkrumb e hi me gjithë ç’kishin brenda të gjitha shtëpitë dhe xhaminë: nga rreth 130 shtëpi, shpëtuan vetëm tri. U grabitën afro 1500 kokë bagëti të imta, mjaft qe, lopë e kuaj.
Në këtë njëqindvjetor, kujtojmë me nderim të thellë dhe u përulemi dëshmorëve, viktimave dhe të plagosurve të 1914-s, që nuk i kursyen jetët e tyre në mbrojtje të nderit dhe të pasurisë. Me qëndresën e tyre, burrat dhe gratë e Kallaratit ia ngritën edhe më lart emrin fshatit tonë, të cilit poeti popullor i këndoi:
Kallarat njëqind shtëpi,
në mes të kazasë rroftë,
luftuan me trimëri,
për vatan qenë të zotë.
Qëndresa e fshatit tonë ndaj pushtimit grek përbën një shembull të rrallë në historinë shqiptare të asaj periudhe. Sepse, kur lufta e organizuar kishte pushuar në gjithë frontin e Jugut dhe popullsia ishte nisur në një eksod biblik drejt ullishtave të Vlorës e të Beratit, Kallarati qe fshati i vetëm që e vijoi deri më 15 korrik luftën e organizuar me armë. “Një fshat i vogël në brinjë”, sikurse thotë kënga, pa ndihmë nga fqinjët dhe i braktisur nga shteti, nuk iu dorëzua armikut, po i ktheu pushkët. I vetmi aleat qe atdhetari vunjotës Nase Beni, i cili luftoi krah për krah miqve të tij.
Kjo qëndresë dëshmon një veti të kallaratasve të cilën na e thonë bukur këngët popullore që i janë kushtuar: “Kallarati fshat i pakë, trima burrat, trime gratë” apo “Kallarati si kala, të bukur trima që ka. Trima, po “trima pa mburra”.
Pikërisht, trimëria, thjeshtësia e ndershmëria janë veti që i kanë dalluar burrat e gratë e Kallaratit në Kurvelesh e Labëri. Trimërinë e tyre ata e kishin dëshmuar edhe para 1914-ës, e dëshmuan edhe pas saj, në Luftën e Vlorës dhe në Luftën Antifashiste, gjë që i ka bërë të nderuar e të respektuar në krahinë. Po gjithnjë fjalëpakë e modestë.
Historia e qëndresës së fshatit tonë, të krahinës së Labërisë dhe të gjithë Shqipërisë është pjesë e identitetit tonë kombëtar.
Shënim:
Në përgatitjen e këtij publikimi u shfrytëzuan materialet në: https: //kallarati.com/blog/566-100-vjetori-i-qendreses-se-kallaratasve-ndaj-andarteve-greke