15 mijë turistë vizituan Beratin që nga janari (Foto)

Qyteti i Beratit, një dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike, tërhoqi në tre muaj e parë të këtij viti rreth 15 mijë turistë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Berat, Eugen Kafllani, tha për ATSH-në se “pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve vendi dhe i gjithë bota”.

“Që prej janarit qytetin tonë e kanë vizituar rreth 15 mijë turistë, ku një interes të madh kanë treguar për Kalanë, Muzeun Ikonografik Onufri, Muzeun Etnografik, si dhe lagjet e vjetra e të qytetit, Mangalem, Goricë, si dhe Urën e Goricës”, tha Kafllani.

“Në ditët e para të prillit pothuajse çdo ditë kanë ardhur grupe me 100 turistë, që kanë vizituar Beratin, që është një qytet mahnitës në çdo stinë”, tha Kafllani.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme : ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.

Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni, në vitin 1922 nga bashkia e qytetit. Është 129,3 m e gjatë, 5,3 m e gjerë, ngrihet 10 m mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7 m.

Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i mirënjohur i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke./k.s/

Loading...