Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të të dhënave të tij personale dhe udhëtimet jashtë vendit përgjatë viteve të fundit nga hakerat iranianë.
Rama ndalet te udhëtimet e tij jashtë vendit duke shigjetuar kundërshtarët politikë ndërsa sqaron se avioni që ai përdor nuk është çharter komercial por shton se bëhet fjalë për shpenzime brenda buxhetit të përgjithshëm të qeverisë.
“Sikur udhëtimet e mia të punës t’u kushtonin shqiptarëve sa llogaritë që bëjnë nongratat, spiunët dhe topat e mediave të baltës, unë do të isha thjesht njëri prej tyre, po nuk kam asgjë të përbashkët me ta që më ngatërrojnë me veten dhe me charter-at e tyre!
Avioni që unë përdor për udhëtime pune nuk është një charter komercial, po një avion për të cilin jam akuzuar edhe më parë nga të njëjtët delenxhinj dhe i kemi dhënë të plota faktet se pse dhe si konkretisht bëhet fjalë për shpenzime brenda buxhetit të gjithëhershëm të qeverisë!
Sot nuk kam ndërmend të risqaroj të njëjtën akuzë, për të cilën kush dëshiron mund t’i referohet sqarimeve të mëparshme, ndërkohë që qeveria iraniane dhe opozitarianianët shqiptarë e këndojnë atë njëzëri! Çfarë neverie!”, shkruan ai.