20-vjeçari pret gishtat në vendin e punës, pronari turk e hedh në rrugë

Emisioni Stop ka trajtuar një histori të dhimbshme, por dhe problematike. Bëhet fjalë për një aksident në punë, që një djali të ri të quajtur Donald Tufi 20 vjeç i ka kushtuar gishtin e njërës dorë.

Në Janar 2021 filloi punë pranë firmës së përpunimit të kartonave për pica, pranë zonës “Ish-Fabrika e qelqit”, e quajtur CDK PACK sh.p.k. Kjo fabrikë ka si administrator shtetasin turk, Savas Karaca. Më 15 Mars 2021, Donaldi pësoi një aksident të rëndë. Në prani dhe me urdhër të përgjegjësit Dedë Bushpreni, ai detyrohet të futet poshtë makinerisë së ndezur për të pastruar bojën.

Në këtë moment, makineria i dë mton Donaldit tre gishtat e dorës. Më pas përgjegjësi fik makinerinë, lajmërohet pronari dhe e drejtojnë për në qendrën më të afërt shëndetësore, duke i thënë se në spital ka polici dhe mund t’u krijoheshin probleme, ndaj duhet të deklaronte se ishte vrarë në shtëpi dhe jo në punë.

Në 23 Mars 2021 Donaldit i vjen një njoftim për largim nga puna në datën 1 Prill 2021, “për moszbatim me përpikmëri të rregullave të sigurisë në punë”.

Donaldi: Në datë 15 Mars të këtij viti rreth orës 09:00 pësova një aksident, isha duke punuar dhe përgjegjësi më dha një detyrë tjetër sepse atje ishim 4 punëtorë dhe duhet të bënim shumë punë, duhet t’i kapnim të gjitha gjërat nga pak. Po merresha me një punë tjetër dhe më thërriti përgjegjësi, më tha do futesh këtu poshtë. Ishte makineria e madhe dhe unë u futa poshtë makinerisë, makineria ishte në punë dhe më duhej ta pastroja sepse po pikonte bojë. Më tha që do ta pastrosh me leckë dhe pastaj do t’i japësh me sfungjer. Marr telefonin për dritë dhe në momentin që sa vendos leckën më kap gjithë dorën dhe dora ime ngeci mes hekurave dhe makineria ishte me dy hekura të mëdha që edhe më shtypte gishtat, edhe ma prente.

Bërtita me zë deri sa erdhi përgjegjësi, fiku makinerinë, e shtyu që të dilte dora dhe pastaj e pashë që dora ishte shumë keq. Isha për Ushtarak direkt sepse isha komplet me gjak. Gjatë gjithë rrugës më thonin që te Ushtaraku është pak problem, sepse atje ka polica, do ju marrin në pyetje, kështu që duhet t’i thuash që nuk je vrarë në punë por je vrarë në shtëpi. Në telefon na merrte përgjegjësi, por përgjegjësi fliste me pronaren. Sepse pronari është turk, ndërsa gruaja e vetë është shqiptare.

Gjatë gjithë rrugës ishte ky problemi që mos i thuaj që je vrarë në punë sepse mbyllet puna për 3 ditë, na hap ne probleme, kështu që mos i thuaj. Ok, më bindën dhe kur shkoj te spitali i them që jam vrarë në shtëpi duke prerë dru dhe më kapi sëpata. Doktori më pa, ishte goxha plagë, filloi të ma qepte dhe një gisht ishte ekspozuar kocka m’u pre dhe kocka, pra gishti është shkurtuar, është prerë. Aty më tha policia a do ta ndjekësh në rrugë penale? I thashë jam vrarë në punë, por nuk dua ta ndjek në rrugë ligjore sepse më trembi kjo ligjorja, nuk e dija çfarë ishte. Shkojmë te puna dhe pronari më tha që shpenzimet do t’i japim ne. Nxorri 50 mijë Lekë të vjetra dhe tha këto i ke për shpenzimet që ke harxhuar në spital.

Do t’i paguajmë edhe ilaçet dhe raportin që do marrësh do e paguajmë ne. Atë 50 mijë Lekëshin nuk është se ma dha mua, thjesht u paguan ilaçet dhe tha që do të sjellim prapë Lekë, rri në shtëpi qetësohu, pasdite do vijmë ne. Shkruajtën dhe një letër, që sipas atyre e shkruajti përgjegjësi, që Donaldi është vrarë në punë dhe janë këta dëshmitarë, vendosi emrat e të gjithëve, vuri emrin tim dhe tha vendos një firmë. Nuk e lexova.

Pasi shkova në shtëpi, nga pasditja më thanë ne nuk të japim asnjë Lekë, thanë, je vrarë vetë, s’ke respektuar rregullat e punës, je treguar i pakujdesshëm, thjesht do të të hedh rrogën. Rrogën duhet ta merrja në datë 15, ishte dhe 10 ditë me vonesë. Paguhesha 260 mijë Lekë të vjetra.

Nuk jam më në punë për shkak se më kanë larguar nga puna. Më sollën një dokument që thoshte të largojmë nga puna për shkak se nuk i ke respektuar rregullat e punës. Unë kërkoj drejtësi, sepse më hoqën dhe nga puna. Unë tani për momentin jam punëtor krahu, jam i paaftë dhe për punë tani. Më kanë hequr nga puna, para jo, kështu që këtë kërkoj, drejtësi.

Gazetari i emisionit Stop tentoi të bisedonte në telefon me përgjegjësin, por pasi iu prezantua, i mbylli menjëherë telefonin.

Gazetari: Përshëndetje, si je?

Përgjegjësi: Mirë! Ju?

Gazetari: Ndjesë për shqetësimin! Jam Andrelin Prifti, gazetar i emisionit “Stop”.

Përgjegjësi: Mirupafshim!

Përmes një kamere të fshehtë, Donaldi dhe nëna e tij takojnë administratorin e firmës, shtetasin turk. Ky i fundit i thotë se Donaldi është djalë i mirë në punë, por ka shkelur rregullat duke u futur poshtë makinerisë teksa ishte ndezur! Në linjë telefonike paralelisht ishte dhe bashkëshortja e pronarit turk, një shtetase shqiptare, e cila iu drejtua Donaldit duke i thënë përse ishte futur poshtë makinerisë me telefon për të bërë dritë?! Kujtojmë këtu se ishte vetë përgjegjësi që e urdhëroi Donaldin të futej poshtë makinerisë teksa ishte ndezur të bënte dritë me celular.

Donaldi: Nuk pata mundësi të vija më parë, për shkak të dorës. Desha të dija kaq: Pse jam larguar nga puna?

Bashkëshortja: Për arsye të moskujdesit në punë, unë e shikoj të rrezikshme, për të vazhduar me mua.

Donaldi: Çfarë rregulli nuk zbatova unë?

Bashkëshortja: Ja pra, a e ke dorën të vrarë?

Donaldi: Po!

Bashkëshortja: Duhet të kesh kujdes!

Pronari: Donaldi është djalë i mirë. Për mua nuk ke patur probleme. Vetëm kujdes nuk ke patur. Sa herë të thosha “Kujdes, kujdes , kujdes!”. Moskujdesja përbën shumë rrezik. Për punën, nuk ka patur problem.

Bashkëshortja: Nuk ishe i kujdesshëm.

Donaldi: Makineria mund të fikej dhe unë mund të pastroja më mirë.

Donaldi: Deda më tha: “Merr telefonin, se është errësirë, se të duhet për blic”. Pse më thatë mua, që mos i thuaj policisë, atje te spitali? Ti the: “Mos i thoni, që je vrarë në punë, thuaj, që je vrarë në shtëpi.”

Bashkëshortja: Unë ta thashë, se gabimi mbetet tek ty.

Përgjegjësi: A e dije ti, se ku fiket makina?

Donaldi: Pse, më the mua ti, që fike makinerinë? Ti nuk the gjë. The: “Futu, pastroje!”

Pronari: Donald!

Donaldi: Pse bërtet?

Pronari: Je mërzitur?

Donaldi: Po, sepse ika nga puna. Unë nuk jam më i aftë për punë. Ku do shkoj unë dy-tri muaj, sa të rregullohet kjo? Kam tri gishta të çarë.

Bashkëshortja: Unë, thjesht, them se me njerëz, që janë të pakujdesshëm, nuk duhet të vazhdoj më. Kaq!

Përgjegjësi: A i hollove ti 5 l bojë?

Donaldi: Po! S’ka lidhje.

Nëna: Tani, ky bëri gabimin dhe duhej ta pësonte?

Pas kësaj përballje, me pronarin turk shkon të takohet edhe gazetari i Stop që po ndjek çështjen. Por turku i tha që të largohej nga prona private dhe nuk preferonte të fliste për aksidentin që kishte pësuar Donaldi në kompaninë e tij.

Gazetari: Si je zotëri?

Pronari: Mirë!

Gazetari: Kemi ardhur për Donaldin, për atë, që i ka ndodhur dorës së atij.

Pronari: Nuk marr vesh!

Gazetari: Donaldi ka bërë një aksident këtu, në datën 15 mars. Mund të flas me nusen tuaj?

Pronari: Kamera të mbyllet!

Gazetari: Ju e keni larguar Donaldin nga puna për arsye të mosrespektimit të rregullave në punë. Ai bëri aksident në datën 15, në makinerinë tënde, i preu gishtat.

Pronari: Nuk kuptoj!

Gazetari: Nusja jote mund të vijë këtu?

Pronari: Jo!

Gazetari: Po Deda?

Pronari: Jo!

Gazetari: Pse?

Pronari: Ti je polic?

Gazetari: Jo, gazetar i emisionit investigativ “Stop”.

Pronari: Mirupafshim!

Gazetari: Po, por duhet të mbani përgjegjësi për atë, që ka ndodhur!

Pronari: Mirupafshim!

Gazetari: Pse mirupafshim?

Pronari: Pse të flasësh ti? Pse të flas unë? Polic je ti?Je i paligjshëm këtu. Je në ambientin e punës.

Loading...