Në nderim të tij ditën e sotme politika do të ketë disa ceremoni, duke nisur me presidentin Meta, që do të vendosë sot, në orën 09:15, një kurorë me lule tek memoriali i tij.
Ndërsa në orën 9:00, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Kuvendi do të organizojë homazhe në varrin e ish deputetit Azem Hajdari, ( Varrezat e Dëshmorëve) me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare.
Bashkëlidhur axhenda e aktivitetit të ditës së nesërme për përkujtimin e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.
CEREMONIA E PËRKUJTIMIT TË HEROIT TË DEMOKRACISË AZEM HAJDARIT
12 Shtator 2019
10:00 CEREMONIA PËRKUJTIMORE PRANË MEMORIALIT
10:30 – Deklaratë e Kryetarit Basha për mediat në përfundim të ceremonisë
10:45 – VARREZAT E DËSHMORËVE
11:15 – 12.00 VIZITË NË FAMILJE
Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës. Hajdari është nderuar me një sërë medaljesh presidenciale. Për vrasjen e tij janë hamendësuar motive nga më të ndryshëm; politike, hakmarrje, rivalitete, grindje etj.
Kjo vrasje, e cilësuar si “vrasja e shekullit” nga Ismail Kadare, është ende e mbuluar me mister. Ndërsa shumë njerëz ende pyesin: “Pse dhe kush e vrau Azem Hajdarin?” 50 fakte për jetën e Azem Hajdarit.
1- Azem Hajdari lindi në Tropojë më 11 mars 1963. Shkollën e mesme e kreu në vendlindje. Ai lindi më 1 mars 1963 dhe vdiq më 12 shtator 1998, ishte një politikan shqiptar, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
2- Në vitin 1993 përfundoi studimet në degën e Filozofisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1995 diplomohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.
3- Studenti Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik.
4- Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare, dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998.
5- Në vitin 1993 Azem Hajdari diplomohet në degën e Filozofisë në universitetin e Tiranës. Në vitin 1995 ai merr diplomën e dytë atë të jurisprudencës në po të njëjtin universitet.
6- Nga viti 1993-1994 studioi gjuhën angleze dhe filozofi në Shtetet e Bashkuara të Amerikë. Në vitin 1996 ka studiuar për politikën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Garmish, Gjermani.
7- Aktiviteti i tij politik nuk ka qëndruar asnjëherë në heshtje. Nga shkurti i vitit 1991 deri në shtator të vitit 1993 deputet dhe kryetari Partisë Demokratike, anëtar komitetit drejtues.
8- Jeta e tij parlamentare ka qenë aktive. Kështu, për katër vite me radhë pas rënies së komunizmit Hajdari ishte kryetar i komisionit parlamentar për rendin dhe SHIK-un. Ishte një ndër oratorët më të fuqishëm të Parlamentit shqiptar.
9- Në nëntor të vitit 1996 ka qenë President i Unionit Tregtar të pavarur. Në janar të 1997 u zgjodh kryetar i komisionit parlamentar të mbrojtjes.
10- Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste të Shqipërisë në vitin 1997, Azem Hajdarit iu bënë disa atentate përpara se të vritej në shtatorin e vitit 1998.
11- Atentati i pari ndodhi në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit. Azem Hajdari tentohet të vritet me bombë, por atentati dështoi.
12- Dy muaj më vonë, atij iu zu pritë në Qafën e Buallit në Sarandë, ndërsa në 18 shtator 1997 mbetet i plagosur i qëlluar me pesë plumba nga deputeti i Partisë Socialiste, Gafurr Mazreku, në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë.
13- Më 14 shkurt 1998, iu organizua një pritë në Milot, ku makina e tij e blinduar u qëllua me breshëri. Së bashku me Azemin në makinë ishte edhe djali i tij 14-vjeçar në atë kohë, Kiri.
14- Atentati i fundit përpara se të vritej, Azemit iu bë më 3 qershor 1998 në Tropojë, ndërkohë që mbeti i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Bardhyl Pollo.
15- Më 12 shtator 1998 vritet pabesisht para selisë së Partisë Demokratike nga drejtues të Komisariatit të Policisë të Tropojës. Por edhe pse kanë kaluar mjaft vite, vrasja e tij mbetet e ende e mistershme me shumë detaje të pazbardhura.
16- Sipas dosjes së akuzës, tre makina të pozicionuara në vende të ndryshme rreth selisë së Partisë Demokratike, kanë qenë gati për çdo të papritur të rastit. Pas dhënies së sinjalit nga Fatmir Haklaj, Izet Haxhia ka hyrë në selinë e PD dhe ka takuar Azem Hajdarin, duke e ftuar që të takonte një grup tropojanësh, që po e priste jashtë selisë.
17- Deputeti Hajdari në mirëbesim, ka dalë nga zyra e tij dhe iu ka drejtuar makinës. Pas tij kanë dalë Besim Çera e Zenel Neza. Në momentin që Hajdari është ekzekutuar, para selisë së PD-së ishte errësirë, për më tepër edhe kohë e vrenjtur e me shi. Azem Hajdari është afruar makinës nga kanë dalë fillimisht Fatmir Haklaj dhe më pas Jaho Mulosmani e Naim Çangu.
18- Sipas dosjes së akuzës, Hajdari dhe ekzekutorët e tij kanë shkëmbyer disa batuta. Menjëherë pas kësaj Fatmir Haklaj ka nxjerrë automatikun e ka hapur zjarr në drejtim të Hajdarit dhe truprojave të tij. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Jaho Mulosmani.
19- Deputeti Azem Hajdari vdes disa orë më pas nga plagët e shumta në trup. Njëkohësisht ka vdekur truproja Besim Çera, ndërsa Zenel Neza është plagosur rëndë. Plumbat e Haklajt kanë qëlluar pa dashje edhe mikun e tij Naim Çangun, i cili u dërgua disa orë më pas në spital nga Jano Mulosmani, e që nuk arriti të jetojë.
20- Më pas Haklaj u ka bërë thirrje bashkëpunëtorëve të tjerë që të largohen nga pozicionet e të drejtohen sërish për në Tropojë. Grupi i vrasësve ka arritur në Tropojë në orët e para të mëngjesit. Komunikata e para del nga Ministria e Rendit në të cilën thuhet se autorët janë larguar në rrugën nacionale nga veriu. Trupat dërgohen menjëherë në Spitalin Ushtarak i cili më pas rrethohet me policë.
21- Ndërkohë prokurori i gatshëm i Prokurorisë së Tiranës Sokol Stojani dhe ekspertë të policisë së Tiranës mundohen të realizojnë këqyrjen e vendit të ngjarjes por shiu i dënuar që binte dhe turma e njerëzve të irrituar e ka vështirësuar këtë. Një nga ekspertët i ka mbledhur nën fshehtësi gëzhojat e dala nga arma. Janë sekuestruar një automatik kallashnikov, një pistoletë Zastava me silenciator, gjashtë gëzhoja kallashnikovi dhe tre zastave. Nga ekspertiza rezultoi se me këto armë nuk ishte bërë qitje.
22- Të nesërmen, me datë 13 shtator, Jaho Salihi duke folur nga zyra e tij së bashku me shefin e rendit të Bajram Currit e me përfaqësuesit e Ministrisë së Rendit, mohon pjesëmarrjen në vrasje.
23- Lajmi për vrasjen e Azem Hajdarit, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
24- Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e Shekullit”.
25- Dosja “Hajdari” ka qenë një nga çështjet më të bujshme si dhe një dosje voluminoze. Vrasja e Azem Hajdarit, është cilësuar si vrasja e shekullit të ‘20. Një çështje që ka një vendim të kaluar në dy shkallët e gjykatave, nëpërmjet të cilit janë dënuar katër vetë.
26- Vrasja e Azem Hajdarit gjithnjë është cilësuar një vrasje politike. Jo sepse ai ka qenë deputet i Shqipërisë, për disa legjislatura, jo se ka qenë njeriu që ka kontribuar më shumë për rrëzimin e komunizmit dhe sjelljen e demokracisë, duke marrë dhe emrin Lideri i Dhjetorit, por se vrasja kishte motive politike. Pavarësisht se gjatë rrugës, për shkak dhe të aleancave fluide për hir të pushtetit, akuzat për vrasje politike të Azem Hajdarit u zbehën.
27- Për vrasjen e Hajdarit janë akuzuar mjaft persona, janë renditur shumë fakte, por provat e vërteta dhe njerëzit okularë në vendngjarje ende nuk janë bërë prezent. As Jaho Salihi dhe as vëllezërit Haxhia, nuk kanë pranuar të kenë qenë autorë të vrasjes, madje nuk kanë dhënë asnjë detaj për vrasjen e deputetit demokrat, duke ia veshur tërë fajin Fatmir Haklajt, i cili ishte eliminuar pas tre-katër tentativash më parë nga njerëz me uniformë, përmes një mine të komanduar.
28- Në një intervistë dhënë në fillim të këtij viti për Ylli Rakipin, Jaho Salihi ka rrëfyer momentin e vrasjes së deputetit Azem Hajdari para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë. Salihi tregon se, Hajdari ndërsa po vinte drejtë makinës ku ndodhej ai bashkë me Fatmir Haklajn, po montonte silenciatorin në pistoletë. Salihi thotë se mes Hajdarit dhe Haklajt nuk ka pasur asnjë shkëmbim fjalë por kanë qëlluar direkt me armë ndaj njëri-tjetrit.
29- Gjatë kësaj interviste, Mulosmani hodhi dyshime se Hajdarin e kanë futur në kurth duke e nxjerrë nga selia e PD-së. Sipas tij, nëse Azemi do e dinte se Fatmir Haklaj ishte para -së, nuk do të dilte nga selia. Sipas Mulosmanit, ata prisnin të takonin një financues të PD-së, por jo Azemin. “Kërkonim të takonim një mik, i cili sot e kësaj dite është afër PD-së. Nuk ishim aty për të vrarë Azemin. Nuk ishim aty për ngjarjen që ndodhi as për ndonjë të mundshme siç aludohet ndonjëherë. Po kërkonim të sqaronim diçka. 10 ditë para babai i Fatmirit kish taku Azemin me kërkesë të këtij të fundit. Babai i Fatmirit e ka regjistru të gjithë bisedën. Aty dëgjohet Azemi që ka lyp me ardh me jetu në Tropojë, dhe ka shfajësu veten për vrasjen e Shkëlqimit (vëllai i Fatmir Haklaj). Azemi në të gjitha mënyrat e mundshme ka shfajësu veten duke thënë se ai nuk kish lidhje me atë vrasje, dhe ka fol dhe disa gjëra të tjera për të cilat nuk është momenti me fol sepse kur nuk t’i merr askush për baze nuk kanë vlerë të thuhen…”, ka thënë Jaho Mulosmani.
30- Jaho Mulosmani ka dhënë variantin e tij se pse u akuzua ai si vrasës i Azem Hajdarit dhe pse sipas tij nuk ishte ai personi që qëlloi: “E para njëherë, aty janë gjet vetëm një palë gëzhoja, që nënkupton se është përdorur vetëm një armë. Ato gëzhoja ose i ka qit Fatmiri ose i kam qit unë. Domethënë të dy nuk gjuajmë dot njëkohësisht. Gjuan njëri dhe ja kalon armët tjetrit, kjo është e pamundur të ndodh. Nëse do më ishte rreziku jeta dhe mua, normal që ashtu do kisha vepru. Plus që ata që njohin Fatmirin e dinë që aty ka ndodh diçka e çastit. Unë isha në timon dhe po flisja në telefon. Unë kam zbrit nga makina pasi ka ndodh ngjarja. Aty u desh të gjendej një fajtor, të dënohej dikush. U desh një kokë turku. Me Fatmirin nuk e bënin dot, se kishin frikë. Unë isha në marrëdhënie pune, shef i policisë, kë do akuzonin?”, ka thënë Mulosmani.
Ndërsa Izet Haxhia, i arratisur në Turqi, në një intervistë për gazetën Dita ka dhënë edhe ai variantin e tij për vrasjen e Hajdarit. Duke mohuar se ka qenë ai që nxori Hajdarin në pritë, Haxhia ka thënë: “Pas ngjarjeve të 14 shtatorit, kam qëndruar një javë në Shkodër dhe më pas kam shkuar në Tropojë. Aty kam patur rastin të takoj Fatmirin. Ai ma ka sqarue. E kam pyetur: Pse e vrave Azem Hajdarin? Dhe çfarë lidhje kisha unë me atë punë, që më thirrët. – Të kërkoj falje unë, më tha. Nuk kam pas asnjë qëllim dhe nuk kam shkue me vra Azem Hajdarin.
Kjo është ajo që u betua ai para meje: “Unë po të kisha dash me e vra Azem Hajdarin, mund ta kisha bë. Gjatë kohës që ne kemi pritur këtë personin, s’ma tha emrin, por ma merr mendja mu ka qenë ai juristi i PD. Fatmiri më tregoi se gjatë asaj kohe Azemi ka qenë në kafe aty. E kemi pa dhe po të kisha dash me e vra e kisha ba. Jemi çudit kur ka ardh në drejtim tonë. Në kohë kur ka pa Azemin që vinte në drejtim të makinës, Fatmir ka pas një shprehje: – Po ky vjedullaku ça po don?
Është një shprehje nga Tropoja për një njeri të shëndoshë.
Azemi kur ka ardh drejt makinës, në njërën dorë ka qenë duke fol në telefon dhe në tjetrën mbante një pistoletë me silenciator. Shoqëruesi i tij, që ka qenë një djalë shumë i mirë dhe më ka ardh shumë keq, i ka ra xhamit të Jaho Salihit. Fatmiri ka dalë nga dera e pasme e makinës, ka qenë i veshur me uniformë, kanë qenë ato të ndërhyrjes së shpejtë. Nga mbrapa tij ka dalë edhe Naim Cangu. Dhe Fatmiri siç duket ka pa pistoletën e Azemit, nuk e di. Fatmiri e ka gjujt me breshëri Azem Hajdarin. Fillimisht ka gjujt një breshëri, është rrëzu në tokë dhe ka gjujt breshërinë e dytë mbi Azem Hajdarin dhe pastaj ka qëllu mbi Zenel Nezën.
Fatmiri tregonte se kur ka gjujt mbi këta të dy, ka pa një tytë automatiku dhe tyta ka qënë e shokut te tij Naim Çangu. Ai s’e ka parë dhe i ka dhënë një breshëri edhe atij. Fatmiri ka kthy kokën dhe ka parë shoqëruesin e Azemit që mbante shtrënguar Jaho Salihin, dhe Fatmiri tregon kështu, se ngaqë ata ishin të ngjitur trup për trup, dhe më duket ka pas një pistoletë beretë dhe ka futur mes tyre pistoletën dhe e ka qëllue atë. Pastaj me automatik i ka dhënë një breshëri edhe atij. Kjo është ajo historia”.
32- Menjëherë pas vrasjes, kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi strukturat shtetërore, ish-kryeministrin e asaj kohe, Fatos Nano dhe ish-shefin e SHIK-ut, Fatos Klosi, se ishin përgjegjës të ngjarjes.
33- Varrimi i Azemit u bë dy ditë më vonë, ku fillimisht u mbajt një miting në sheshin “Skënderbej”. Më pas, turma e protestuesve u drejtua nga selia e Kryeministrisë duke u përplasur me armë me forcat e Gardës. Kjo ishte edhe arsyeja se përse në varrimin e Azemit në Sharrë kishte një pjesëmarrje të vogël, vetëm familjarët dhe disa miq të tij.
34- Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar se në Shqipëri ka patur një plan për vrasjen e Sali Berishës, në ngjarjet që pasuan ekzekutimin e deputetit demokrat, Azem Hajdari. Të dhënat kanë dalë në dritë në vendimin e zbardhur të gjykatës, që u dha fund shpresave të të dënuarve për vrasjen e Hajdarit mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, të fitonin pafajësinë. Pikërisht, ekzistenca e një plani për vrasjen e Berishës gjykohet se është arsyeja kryesore për të cilën kryetari i Partisë Demokratike në atë kohë refuzoi të paraqitej si dëshmitar përpara gjykatave në Tiranë.
35- Gjykata e Strasburgut ka vlerësuar edhe arsyet që e shtynë Berishën të mos u përgjigjej pozitivisht disa kërkesave të gjykatës së Tiranës për të qenë dëshmitar në gjykimin e të akuzuarve për vrasjen e Azem Hajdarit. “Arsyet e sigurisë shpjegonin mosparaqitjen e tij. Në dritën e përpjekjeve për të vrarë z. Berisha, siguria e tij personale nuk mund të garantohej në gjyq”, thuhet në argumentimin e Gjykatës së Strasburgut. Ndonëse Gjykata e Strasburgut nuk dha detaje për ato që i cilëson “përpjekje për të vrarë z. Berisha”, në shtypin shqiptar janë botuar raportime të ndryshme mbi një tentativë të mundshme për të ekzekutuar liderin demokrat. Njëri nga të dënuarit për vrasjen e Hajdarit ka përmendur edhe një implikim të shërbimeve sekrete, që ka patur si synim final vrasjen e Berishës. Vetë ish-kryeministri nuk udhëtoi për një kohë të gjatë në vendlindjen e tij, Tropojë, pas vrasjes së deputetit Hajdari.
36- Që prej vitit 1999, krerët e Partisë Demokratike kanë përkujtuar vrasjen e Azem Hajdarit në memorialin e ngritur pranë selisë së PD-së, në qendër të Tiranës. Gjithashtu, çdo vit janë zhvilluar edhe vizita në familjen e Azemit.
37- Gjatë kohës që Partia Demokratike ishte në opozitë, kryetari i saj premtoi rihapjen e dosjes së Azemit, por në tetë vite të qeverisjes së djathtë kjo çështje nuk u prek.
38- Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2002 dekoroi Azem Hajdarin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Edhe Presidenti Bujar Nishani dekoroi pas vdekjes zotin Azem Hajdari me Urdhërin e Flamurit Kombëtar për ndihmesë të shquar në shembjen e diktaturës komuniste dhe vendosjen e pluralizmit politik.
39- Ai ishte deputet i thjeshtë në 4 parlamente rresht; viti 1991, ’92, viti 1996 dhe ’97, derisa humbi jetën pas sulmit me armë zjarri. Në vitet 1995 – 1998, Azem Hajdari ka qenë edhe President i klubit të futbollit “Vllaznia” – Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale
40- Në 50-vjetorin e lindjes së Azem Hajdarit, Fatmira Hajdari në një intervistë për mediat shqiptare ka treguar se ata u martuan bashkë kur ajo ishte vetëm 15 vjeç dhe ai 17. Ndërsa e ëma e Azemit nuk i linte të flinin bashkë. “E ëma e Azemit nuk na la të flinim bashkë. I dukeshim dy fëmijë të vegjël, unë 15 vjeçe dhe Azemi 17 vjeç. Por, pas një muaji Azemi i thotë nënës së tij me të qeshur. “Nusen e kam marrë për ty apo për vete? Qeshëm të gjithë. Në vitin 1981 unë dhe Azemi vazhduam jetën familjare, së bashku me prindërit e Azemit. Një vit më pas unë bashkë me Azemin filluam gjimnazin në Bajram Curri. Për katër vite me radhë qëndruam në një bankë së bashku”, ka treguar Fatmira.
41- Nurie Hajdari, motra e Azemit, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ka treguar disa detaje interesante se si vëllai i saj “rrëmbeu” Fatmirën: “Ata ishin fare të vegjël kur u dashuruan. Ishin nxënës në shkollën e “mesme në Tiranë. Sapo janë njohur, më tregoi Azemi. Më mori te konvikti i Fatmirës që të më njihte me të. Sapo ajo doli, më tha: “Motër e dashur, kjo është gruaja e jetës sime”. Azemi e ka rrëmbyer Fatmirën dhe atë e solli në Bajram Curri me djalin e xhaxhait tonë, ndërkohë që vetë erdhi më vonë nga Tirana në shtëpi. Familja dyshoi fillimisht se mos Azemi e ka marrë pa dëshirën e saj dhe u trembën disi, por kur folëm me Fatmirën, gjithçka ishte në rregull. Në qytet u hap fjalë se Azemi ka rrëmbyer një vajzë të mitur dhe kjo ishte e ndaluar në atë kohë. Babain e thirrën në Degën e Brendshme për të sqaruar situatën dhe ne u detyruam të thërrisnim dhe të atin e Fatmirës nga Librazhdi për të pohuar se vajza e ka dashur vetë që të martohej me Azemin pavarësisht se as familja e saj nuk kishte dijeni për ikjen nga shkolla. Në degën e Brendshme na thanë se nëse Azemi e ka rrëmbyer vajzën, do ta çojmë në internim, pasi ka konsumuar një krim. Ndaj na u desh që të mblidheshim të gjithë kur erdhi Azemi dhe i ati i Fatmirës dhe t’u thoshim në komisariat se ata duhen dhe janë bashkuar me pëlqimin e tyre. Fatmirën e pyetën dhe në shtëpi nëse ishte dëshira e saj dhe ajo u përgjigj: Unë kam ardhur që të jetoj dhe të vdes me Azemin”.
42- Azemi la pas tre tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit.
43- Aktiviteti i politik i Azem Hajdarit
– Dhjetor 1990 – Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;
– Dhjetor 1990 – shkurt – Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;
– 1991 – 1993 – Nënkryetar i Partisë Demokratike
– 31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike për Shkodrën;
– 22 mars 1992 – Deputet i Partisë Demokratike për Shijakun;
– 26 maj 1996 – Deputet i Partisë Demokratike për Bulqizën;
– 29 qershor 1997 – Deputet i Partisë Demokratike për Tropojën;
– 1992-1996 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;
– Nëntor 1996 – Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare;
– Qershor 1997 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;
44- Arsimi
Më 1987, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;
– Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës;
-Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës;
– Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për filozofi;
– Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani.
45- Kosova
I rritur në Malësinë e Gjakovës, në kufirin që ndante shqiptarët në dysh që nga viti 1913, Azem Hadari njihte mirë padrejtësitë që iu kishin bërë historikisht shqiptarëve. Ishte njohës i mirë i rrethanave pushtuese të Kosovës nga Serbia dhe ishte ndër të parët deputetë që e ngriti problemin e madh të Kosovës. Në mes tjerash, në parlament ai ka deklaruar: “Duhet të rrëzohet muri që ndanë shqiptarët mes veti” dhe ishte gjithashtu ndër të parët që ngriti zërin kundër politikës hegjemoniste të Millosheviçit.
46- Arben Imami, gjatë ceremonisë të 50-vjetorit të lindjes së Azemit ka treguar bisedën me të pas themelimit të Partisë Demokratike. “Azemi ishte një atdhetar i madh, dhe këtu dua të përmend diçka që s’e kam thënë ndonjëherë. Ishte dhjetëditëshi i dytë i dhjetorit dhe ne flinim në katin e pestë në dhomën e Skënder Madanit, Aleksandrit, dhe kishim një javë në fakt që s’i kishim hequr këpucët nga këmbët. Flinim bashkë, drita s’kishte dhe ishim të dy të rinj. Azemi më thotë: ‘Ben, tani u themelua kjo parti, po tani çfarë do të bëjmë?’. ‘Me të thënë të drejtën, Azem, – i thashë, – ne s’kemi çfarë të bëjmë më shumë me këtë parti, kjo shyqyr që u themelua, të vijë ndonjë intelektual, Saliu ose Gramozi apo kushdo tjetër të vijë ta marrë e ne të shohim punën tonë’. Ai më tha: ‘Beni, duhet të kesh parasysh një gjë, që ne nuk mund ta lëshojmë Partinë Demokratike pa u çliruar Kosova’”, është shpreh Imami.
47- Në një intervistë bashkëshortja e Azemit, Fatmira Hajdari, ka treguar historinë e ditës së parë të tij në universitet. “Kur filloi shkollën e lartë, pas një muaji kthehet dhe e kishte marrë malli për fëmijët. Më tha se do më tregonte diçka të bukur. Ai ishte i martuar, me dy fëmijë, dhe vishej me kostum e kollare, ishte i rregullt nga ana e veshjes. Ditën e parë të shkollës më tha: ‘Kishin hyrë studentët dhe unë shkova pas tyre. Isha veshur me kostum, kollare dhe këpucë. Në momentin që hapa derën, studentët u ngritën në këmbë. Menduan se mos isha pedagog. U thashë uluni se unë jam student si ju. Të gjithë filluan pastaj të më përqafonin’. Të gjithë e donin dhe e adhuronin Azemin se ai të bënte vetë për vete”.
48- Azem Hajdari gjatë kohës kur Partia Demokratike ishte në pushtet nuk u emërua kurrë ministër, edhe pse ai e meritonte më shumë se kushdo tjetër në PD.
49- Azem Hajdari ka qenë ndër të vetmit demokratë që ka kundërshtuar shpesh herë Berishën. Madje midis tyre ka pasur edhe debate mediatike, por jo vetëm. Pavarësisht debateve miqësia mes Sali Berishës dhe Azem Hajdarit ka vazhduar gjatë me ulje dhe ngritje të shumta.
50- Azem Hajdari ka një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, duke qenë lideri i Lëvizjes së Dhjetorit. Pa Azem Hajdarin ndoshta Lëvizja e Dhjetorit do të ishte ndryshe.