24 atraksione turistike të Vlorës në një broshurë

Vlora është një nga qendrat më të rëndësishme turistike të vendit tonë me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore.

Për të ofruar një guidë të mirëfilltë të qytetit dhe atraksioneve të tij, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë e nisi këtë vit me një broshurë, e cila i shërben këtij qëllimi.

Në këtë guidë gjenden pikat më të rëndësishme të cilat duhet të vizitohen nga të gjithë si; Muret rrethuese të Aulonës, Kalaja e Kaninës, parku Arkeologjik i Orikut, Manastiri i Zvërnecit, Kullat e Dervish Aliut, Kisha e Marmoit, Muzetë e Vlorës, Sheshi i Flamurit, Xhamia e Muradies, Qendra Historike, Fshati Rrënojë i Tragjasit të Vjetër, Parku Kombëtar Detar Sazan-Karaburun, Ishulli i Sazanit, Parku Kombëtar i Llogorasë, Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë, Lungomare.

Po ashtu në këtë broshurë janë përfshirë edhe Gjiri i Gramës, Gjiri i Bristanit, Gjiri i dafinës, Gjiri i Shën Vasilit, Gjiri i Shën Janit, Kepi i Gjuzës, shpella e Haxhi Aliut dhe shpella e Duk Gjonit.

Vlora është e vendosur në një pozicion mjaft të përshtatshëm në qendër të gjirit me të njëjtin emër. Një numër i madh sitesh arkeologjike dhe monumentesh përfaqësojnë periudhat e ndryshme të historisë së Vlorës. Qyteti bregdetar përmendet pothuajse në të gjithë itineraret e kohës perandorake romake, si dhe një skenë e përshtatshme për ata që vinin nga Hydrunti (Otranto) apo Brindisi, por në radhë të patë si stacion në rrugën nga Apolonia për në Butrint, ku sipas burimeve historike në antikitetin e vonë u kthye në qendër peshkopale dhe njëkohësisht ishte një nga tetë qendrat më të rëndësishme të provincës së Epirit të Ri.

Trashëgimia kulturore e historia e jashtëzakonshme, së bashku me peizazhin e mrekullueshëm të gjirit të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth e tij e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik./k.s/e.caushi/ATA

Loading...