ATSH 25 300 vizitorë kanë parë nga afër Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, gjatë këtij viti.
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë vazhdon të zgjojë interesin e turistëve vendas dhe të huaj.
I konsideruar si një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë, ai hapi dyert në vitin 1980 dhe iu nënshtrua restaurimit në vitin 2016.
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është çelur në vitin 1980, ndërsa së fundi u vendos në ndërtesën e re bashkëkohore. Me një fond prej 8000 ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, falë ndërtimit bashkëkohor, është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.
I pozicionuar përgjatë Bulevard “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash por edhe një institucion unikal në rajon.
Ky është një Muze i veçantë përsa i përket numrit të madh të mjeshtërve, autorëve të ikonave (rreth 10 mjeshtër të ikonografisë) dhe larmisë së fondit të objekteve që administron (8000 objekte të Artit Mesjetar, ndër të cilat 6500 janë ikona).
Në godinën e re të muzeut janë ekspozuar rreth 400 ikona nga të cilat 250 ikona i prezantohen publikut për herë të parë. Mënyra e ekspozimit vjen në një frymë bashkëkohore me një rend kronologjik të zhvillimit të mjeshtërisë ikonografike në Shqipëri. Prezantimi i trashëgimisë së Artit Mesjetar të rikthen në gjenezën e mistikes dhe ritualeve të shenjta.
Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine. Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre etj., janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara.ATSH