Humanisti Halil Kastrati, i cili drejton shoqatën bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, ka mbajtur premtimin e dhënë se për në ditën e flamurit – 28 Nëntor do të dhurojë çelësat e 28 shtëpive për familjet në nevojë.
Ceremonia është zhvilluar sot në Prizren, ku për nevojtarët janë ndarë 28 shtëpi.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka qenë i pranishëm në këtë ceremoni.
“Ndarja e 28 shtëpive në Prizren, në Festën e 28 Nëntorit, jep mesazhin e afrimit dhe bashkimit më të madh të qytetarëve me njëri-tjetrin. Respekt për bamirësin Halil Kastrati dhe shoqatën që ai udhëheq, i cili me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me një punë të palodhshme po ndihmon qytetarët në nevojë”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në “Facebook”.
I njohur si hoxhë, humanisti Halil Kastrati përmes donacioneve të siguruara nga njerëz të vullnetit të mirë, ka bërë qindra familje të varfra me banesa ose shtëpi.
Veprimtaria e tij nuk shtrihet vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet ku ka shqiptarë
Dhe, Kastrati dhe shoqata “Jetimat e Ballkanit” nuk ka ndihmuar vetëm familje myslimane por edhe të krishtera.
Përveç ndërtimit të shtëpive, shoqata e Halil Kastratit u ofron qindra qytetarëve ushqim në ditë në gjelltoren e tij në Prizren dhe qytete të tjera./Ekspress