3 shqiptarë të vrarë në Greqi pas Kacifas, rastësi apo hakmarrje?

Ngjarja e ndodhur në Bularat të Gjirokastrës, ku u vra nga forcat RENEA ekstremisti grek Konstandinos Kacifas, solli një sërë reagimesh absurde në shtetin grek. Ekstremistë të ndryshëm, politikanë apo media të ndryshme shfaqen urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe degjeneruan edhe në kërcënime masive.
Por çfarë ka ndodhur që prej asaj dite me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Përveç disa arrestimeve absurde për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar apo edhe ngjarja e turpshme e djegies së Flamurit tonë në Kretë një fakt shumë i rëndë ka rënë në sy.
Kur ka kaluar vetëm një muaj nga Bularati në Greqi janë vrarë tre shqiptarë. Tre vrasje ende të pa sqaruara, kjo edhe për shkak të mungesës së kërkesës së llogarisë nga ana e strukturave të shtetit tonë. Por t’i marrim një nga një ngjarjet.
Më 22 nëntor 2018 vritet në zonën e gjelbërt të kufirit Altin Mulla. Qëllohet për vdekje nga policia greke. Asnjë shpjegim nuk u dha. Vetëm iu tha opinionit publik se së bashku me disa persona të tjerë, Mulla kishte kaluar ilegalisht nga kufiri i gjelbër për të trafikuar lëndë narkotike. Se çfarë ngjau tjetër dhe pse i duhej marrë jeta një të riu që shumë mirë mund të ishte arrestuar asgjë nuk na është shpjeguar.
Rasti i dytë: Më 25 nëntor një i burgosur shqiptar në burgun e Trikallas u gjet i pajetë në qeli. Edhe pse faktet dhe dëshmitarët tregojnë se një natë më parë, gjendja shëndetësore e 35-vjeçarit ishte normale kur kishte shkuar për të fjetur, autoritet greke nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për shkaqet e vdekjes, të cilat mbeten ende mister.
Dhe bilanci i vrasjeve rëndohet vetëm një ditë më pas. Më 26 nëntor 2018 një 63-vjeçar shqiptar u gjet i vdekur në një kanal në anë të rrugës në Korfuz. Policia greke njoftoi se 63-vjeçari ishte qëlluar me çifte nga një distancë e afërt nga persona të panjohur, të cilët më pas e kishin hedhur trupin në anë të rrugës. Sot është shpërndarë një lajm nga mediat greke se vrasësi është arrestuar dhe ka deklaruar se e kreu krimin pas një sherri ordiner.
Këto janë faktet. Tre vrasje të shqiptarëve në një kohë kaq të shkurtër nga një armë e shkrepur nga dora e një greku. Por kjo nuk mund të mbetet me kaq. Greqia do të duhet të japë shpjegime. A janë vërtet këto ngjarje të rënda thjesht në rastësi apo grekëve u ka shkrepur në mendje të marrin hak për ekstremistin Kacifas. Autoriteteve shqiptare u takon të mos flenë gjumë, siç kanë bërë pothuajse gjithmonë. Qindra mijëra bashkatdhetarë tanët jetojnë në Greqi dhe jeta e tyre mesa duket është në rrezik.

Loading...