25-vjeçarja nga Cakrani i Fierit ishte larguar nga shtëpia më 24 shtator në orën 13:00, duke mos i dhënë shumë detaje Klodianit. Ata kishin komunikuar sërish në mbrëmje, por biseda ishte e vakët dhe Asija nuk kishte dhënë një vendndodhje të saj.
Një ditë më pas, më 25 shtator, Klodiani kishte tentuar ta telefononte sërisht dhe e fejuara i kishte deklaruar se po largohej drejt Shqipërisë. Por, i riu vlonjat ngre shumë dyshime për humbjen e të fejuarës së tij.
“Mes nesh nuk ka ndodhur asgjë, vetëm kur është larguar papritur. E dija se do shkonte në punë. Kemi 7 vite që jetojmë bashkë në Ciro Marina të Italisë. Debate burrë e grua kemi pasur, po jo që ajo të ikte dhe të mos kthehej më.
Folëm në telefon, por u shkëput linja dhe në orën 21:00 të darkës fola prapë dhe dy fjalë më tha dhe e mbylli. Ditën tjetër, pas shumë telefonatave ma hapi dhe më tha “jam në autobus po iki në Shqipëri”.
Unë kam komunikuar me prindërit e saj dhe ata më thanë “po vjen në Shqipëri”. I bija telefonit më pas dhe doli i fikur”, u shpreh Klodiani në një lidhje live skype me moderatoren Odeta Dume.
Stafi i “Pa Gjurmë” kontaktoi me babain e Asies, Arjan Muçën, teksa ky i fundit dha lajmin se vajza e tij nuk kishte humbur, por ndodhej e strehuar në një shoqatë në Milano të Italisë, për arsye se kishte hequr dorë nga bashkëjetesa me Klodianin.