4052 fermerë si dhe 105 sipërmarrje u mbështetën nga Programi Kombëtar për Mbështetjen e Bujqësisë në vitin 2018, duke i bërë ato modele suksesi.
Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Frida Krifca gjatë një interviste u shpreh se programi për bujqësinë ka ngjallur interesin e fermerëve shqiptarë për të përfituar, ku aplikimi sipas saj bëhet me zero dokumente.
“Ne kemi mbështetur 105 sipërmarrje me investime gjatë vitit të kaluar, përveçse kemi mbështetur dhe fermerët e vegjël. Në këto 105 janë padyshim modele suksesi, natyrisht na takon ne që të mbështesim ato jo vetëm financiarisht, por t’i mbështesim edhe me monitorim për zgjidhjen e problematikave të tyre, për mënyrën se si biznesi i tyre është operacional. Për vitin 2018 kemi pasur një fond të disbursuar prej 1.6 miliardë lekësh. Konkretisht janë mbështetur 4052 fermerë në total, kemi pasur 105 sipërmarrje ku nga ky fond këta kanë marrë 1.1 miliardë lekë dhe kemi pasur 3940 fermerë të vegjël të cilët kanë përfituar nga ky fond 642 milionë lekë. Në një numër total prej 6100 aplikantësh, rreth 80% e tyre kanë marrë pagesë. Ka pasur shumë interes nga ana e fermerëve. Jemi në një shifër prej 1100 aplikantësh. Është zgjuar besimi dhe flitet për bujqësi pothuajse çdo ditë nga qeveria dhe patjetër që është një sektor me orientim të caktuar”, – theksoi ajo.
Drejtoresha e AZHBR-së, theksoi gjithashtu se kjo skemë ka tërhequr edhe vëmendjen e emigrantëve të kthyer në vendin tonë, të cilët e shikojnë bujqësinë si një mundësi mjaft të mirë për të shtuar dhe investuar të ardhurat e tyre.
“Në shikojmë emigrantë të cilët kthehen dhe sektori i parë që ata merren është bujqësia, dhe padyshim kjo është një arsye pse skema ka sukses në aplikime.
Kemi pasur një sesion informimi në 12 qarqe përpara se të fillonte ky proces, duke marrë fidbek real nga fermerët”, – përfundoi Krifca. /e.caushi/