Numri i kompensimeve të pasagjerëve për vonesat mbi 3 orë të kompanive ajrore është rritur.
Autoriteti i Aviacionit Civil në buletinin mujor për nëntorin 2018, thekson se “nga të dhënat zyrtare paraprake që vijnë pranë Sektorit për të Drejtat e Pasagjerëve nga kompanitë ajrore, rezulton se janë gjithsej 442 kompensime në total me nga 250 euro, ose me bileta falas. Por, numri pritet të rritet pasi një pjesë e madhe e formularëve të ankimit nuk kanë filluar ende vlerësimin”.
“Pavarësisht shifrave pozitive procesi po kalon një fazë ngadalësimi për shkak se një pjesë e madhe e pasagjerëve nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm te kompanitë ajrore, ndërsa në disa raste nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me atë që ju ka ofruar kompania”, nënvizon AAC.
AAC i bën thirrje gjithë personave që kanë plotësuar formularët e ankimimit dhe ka kaluar afati prej 6 javësh, që të rikontaktojnë përsëri kompanitë ajrore që kanë patur fluturimin për tu njohur me statusin e fluturimit të tyre.
Respektimi i të drejtave të pasagjerëve, që lidhet me marrjen e kompensimit në rastet e vonesave apo anulimit të fluturimeve të palajmëruara më parë vazhdon të jetë një element shumë i rëndësishëm që ka marrë edhe vemendjen maksimale të AAC ./ATSH