Një 45-vjeçar ka ekzekutuar katër persona si dhe ka plagosur një tjetër në pesë vende të ndryshme në qytetin australian të Darvinit.
Agresori i cili tentoi të arratisej, u arrestua pas një ore nga policia. Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe kryeministri, Scott Morrison, i cili u shpreh se vrasjet nuk ishin të lidhura me terrorizmin.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe policia, ku theksojnë se ngjarja nuk ka lidhje me terrorizimin.
“Në këtë fazë nuk besojmë që ky është terrorizëm. Ky është një individ i cili ka vepruar i vetëm”, u tha gazetarëve komisioneri i policisë, Reece Kershaw.
Ky është një nga sulmet më të dhunshme në vitet e fundit në Australi.
Kujtojmë që Australia ka disa ligje të ashpra përsa i përketë kontrollit të armëve, të cilat u miratuan më 1996 pasi një person i armatosur vrau 35 persona në Port Arthur në ishullin e Tazmanisë.