5 milionë euro për mbështetjen e SME-ve, përmes kredive

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, e konsideroi shumë të rëndësishëm projektin me vlerë 5 milionë euro për “Promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes fondit të garancisë së kredive rurale”.

Gjatë fjalës në Kuvend gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2017, për projektin “Promovimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes fondit të garancisë së kredive rurale”, Peleshi theksoi sot se “ky projekt garanton kreditë tregtare të institucioneve pjesëmarrëse. Ka disa portofole për të cilat nuk po zgjatem se janë të gjitha në relacion, por mbështetja fillon nga 30% deri në 100% të mbështetjes të garantimit të kredisë”.

“Dua t’i bashkohem shprehjes së mirënjohjes së qeverisë gjermane për projektet e Bankës Gjermane KFW, por edhe të Agjencisë GIZ në mbështetje të Shqipërisë dhe veçanërisht të bujqësisë”, tha Peleshi.

KFW, vijoi ai, është sot koordinatori i ndihmës së huaj, pra të gjithë donatorëve, partnerëve tanë në fushën e bujqësisë edhe zhvillimit rural në përgjithësi.

Sipas tij, ky projekt vjen si vazhdim i një projekti të kaluar në vlerën prej 3.5 milionë euro përmes të cilit u mbështetën rreth 1 mijë kredi të vogla me rreth 1500 të punësuar për fermerët shqiptarë.

“Projekti është i rëndësishëm lidhur me kontekstin në të cilin ne jemi sot. Viti 2019 do të shënohet si viti i mbështetjes më të madhe historike të bujqësisë. Përmes programit të mbështetjes nga Bashkimi Europian dhe qeverisë shqiptare IPARD, që së i bashku me të dy kontributet kap vlerën 94 milionë euro, shtuar këtu edhe skemën kombëtare të mbështetjes financiare, e cila edhe këtë vit do të jetë në masën 20 milionë euro”, nënvizoi Peleshi duke shtuar se po ta krahasojmë me 2017 është pothuajse dy herë më e lartë është dyfish vazhdon i njëjti trend rritjeje edhe këtë vit.

“Në total kemi më shumë se 100 milionë euro financime, siç e tha deputeti Bushati, me para falas, pra me grante”, theksoi Peleshi.

Ministri Peleshi u shpreh se “natyrisht mbështetja me grant nuk shkon në 100% të masës së investimit duhet patjetër që fermerët apo investitorët në bujqësi dhe agropërpunim të kenë kapitalet e veta 30, 40 dhe deri 50% të cilat jo gjithmonë janë të mundura”.

Ai tha se “çdo investitori dhe fermeri duhet të garantojë këto kapitale, ose nga kursimet ose kreditimi i institucionve financiare. Vlerën totale të investimit duhet ta ketë paraprakisht sepse granti qoftë nga IPARDI apo skema kombëtare e mbështetjes financiare jepet në fund pas realizimit të investimit”.

“Financimi përmes kreditimit është i domosdoshëm edhe nga përfituesit e skemave tona kombëtare, që siç e thamë janë grante. Kjo është një mudnësi e shtuar sidomos për fermerët e vegjël”, tha ministri Peleshi./ATSH

Loading...