54 piktorë shqiptarë “sjellin” Krujën dhe Skënderbeun(foto)

“Kruja dhe Skënderbeu” titullohet ekspozita e çelur mesditën e sotme në Muzen Historik Kombëtar, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Në ekspozitën e organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit, Muzeu Historik Kombëtar dhe bashkia Krujë ishin të pranishëm njerëz të njohur të artit dhe kulturës, piktorë, nxënës shkollash, etj.

Në ekspozitë 54 piktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë hedhur në telajo impresionet e tyre për Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

Fjalën e hapjes e mbajti Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit Irena Toçi, e cila ndër të tjera tha se “e veçanta e kësaj ekspozite është se marrin pjesë piktorë nga trevat mbarëshqiptare. Janë 54 piktorë pjesëmarrës, të cilët i përkasin brezave të ndryshëm, prandaj meqë më jepet rasti i falënderoj për përkushtimin e tyre. Në këtë ditë na nderon me pjesëmarrjen e tij edhe ish-kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi”.

Në vijim e mori fjalën Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili theksoi se “përvjetori i sivjetshëm i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut na risjell sërish në vëmendje figurën e tij poliedrike, si strateg dhe udhëheqës i shquar, sepse figura e tij nuk mbeti vetëm si një imazh, por është futur thellë në vetëdijen dhe ndërgjegjen e popullit shqiptar”.

“Kjo krenari e trashëguar nga mesjeta u rishfaq dukshëm në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe ka shërbyer për forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Angazhimeve të marra nga qeveria shqiptare për të kremtuar vitin 2018 si vitin e Skënderbeut, i janë bashkuar edhe 54 piktorët më të mirë nga trevat mbarëshqiptare, të cilët kanë sjellë punimet e tyre në ekspozitën “Kruja dhe Skënderbeu”, që përurojmë sot”, nënvizoi Koçi.

Koçi u shpreh se “ky vit pati prurje të mëdha për sa i përket vlerësimit të figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Këtyre prurjeve i shtohet edhe ekspozita “Kruja dhe Skënderbeu”, që mbyll siparin e kremtimeve të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Dhe padyshim është Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i memories kombëtare në vend që ka hapur dyert për një aktivitet të tillë me pjesëmarrjen e 54 piktorëve të talentuar nga mbarë trevat shqiptare. Duke përfituar nga rasti i uroj piktorëve suksese dhe mirë u takofshim në aktivitete të tjera të kësaj natyre”.

Në emër të bashkisë së Krujës përshëndeti të pranishmit Florind Terhoti, ndërsa në emër të piktorëve pjesëmarrës përshëndetën Kujtim Buza dhe piktori nga Kosova, Izriz Berisha.

Pjesë e ekspozitës ishin piktorët Kujtim Buza, Abdi Bajrami, Adirana Puleshi, Adrian Çene, Adrian Devolli, Agim Kadillari, Agim Sulaj, Azem Kuçana, Idriz Berisha, Jordan Findiku, Pashk Përvathi, Nasuf Myftari, Nerjada Dado, Parid Dule, Romeo Kallço, Sadik Kasa, Sali Shkupolli, Spiro Panariti, Vangjel Gjikondi etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 6 dhjetor në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar. /atsh

Loading...