Nga Kap.Rang. I-rë Artur Meçollari
7 prill 1939 – Operacioni detar i zbarkimit për pushtimin e Shqipërisë.
Datë në historinë detare.
Vendimi për pushtimin e Shqipërisë nga Mbretëria e Italisë u mor më 23 Mars 1939, vetëm pasi qeveria gjermane e siguroi Italinë se deti Mesdhe, si dhe deti Adriatik, njiheshin si dete italiane dhe në këtë mënyrë Italia i kishte duart e lira për të vepruar edhe në Shqipëri. Në këtë periudhë Marina Mbretërore Italiane kishte kontroll të plotë në detin Adriatik dhe Jon.
Trupat e ekspeditës ushtarako-detare italiane, u grumbulluan dhe imbarkuan në portet e Pulias (Bari, Brindisi dhe Taranto) në fillim te muajit prill. Lëvizja për zbarkimin në Shqipëri filloi në orën 11:00 të datës 6 prill 1939 dhe përfundoi në orën 18:30 të po të njëjtës datë. Zbarkimi u realizua në katër porte Shqiptare, Shëngjin, Durrës, Vlorë dhe Sarandë, në mëngjezin e datës 7 prill 1939. Ushtria Italiane komandohej nga Gjeneral Alfredo Guzzoni. Në operacionin e zbarkimit morën pjesë rreth 22.000 trupa, të cilat përfaqësonin 2 divizione këmbësorie, 4 regjimente bersalierësh, 3 batalione tankesh, 1 grup qerresh të korracuara, 1 batalion special “San Marko”, 2 batalione këmishëzinjsh, 1 regjiment granatierësh, 2 grupe artilerie të kalibrit të mesëm, etj. Në total zbarkuan 64 njësi artilerie, 125 tanke, 860 automjete, 1.200 motorçikleta, 5.500 biçikleta dhe 2.500 hajvanë.
Operacioni i zbarkimit u krye nga 34 anije transporti, nga të cilat 5 çisterna, 7 anije shumëfunksionesh dhe 22 anije transporti. Operacioni i zbarkimit drejtohej nga Gjeneral Giovanni Mese. Operacioni i zbarkimit ishte e shoqëruar nga një flotilje e Marinës Mbretërore prej 39 anijesh, nga të cilat 2 korracata, 7 kryqëzorë, 16 destrojerë, 14 gjuajtësa, si dhe 10 nëndetëse. Flotilja detare komandohej nga Admiral Ettore Sportiello. Operacioni i zbarkimit u mbështet gjithashtu nga 140 avionë të bazuar në Brindisi dhe Foggia. Numri total i forcave pjesëmarrëse në operacionin e zbarkimit dhe mbështetjes ishte 45.000-50.000 vetë.
Zbarkimi i trupave italiane ishte planizuar që të bëhej i njëkohshëm në të gjitha portet shqiptare, në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin. Metoda e zbarkimit u zgjodh direkt në porte, sepse nuk kishte pritshmëri për ndonjë kundërveprim nga ushtria shqiptare. Skalionet e para, pas një bombardimi të fuqishëm nga ajri dhe deti të buzës së ujit dhe thellësisë, ju drejtuan porteve. Pati vetëm luftime sporadike të patriotëve dhe vullnetarëve shqiptarë të cilët pas pak oësh luftimi e pushuan rezistencën. Ushtria shqiptare nuk pati ndonjë plan dhe nuk bëri ndonjë tentativë për të organizuar mbrojtjen kundërdesante dhe për të thyer sulmin italian.
Në datën 8 prill trupat italiane hynë në Tiranë, në datën 9 prill hynë në Shkodër dhe në Gjirokastër dhe në 12 prill kishin kapur të gjithë territorin shqiptar. Në Shqipëri, brenda një kohe të shkurtër, mbas pushtimit, Shtatmadhorija Italiane do të disllokonte sasira të mëdha forcash dhe mjetesh me qëllim sulmin ndaj Mbretërisë Greke dhe shtrirjes fashiste në Ballkan. Lufta e Dytë Botërore kishte nisur, pavarësisht se zyrtarisht do të shpallej më 1 shtator 1939, ditën e sulmit të Gjermanisë kundër Polonisë.