823 turistë huaj vetëm në një ditë në portin e Himarës

Rreth 823 turistë të huaj kanë mbërritur në portin e Himarës vetëm gjatë ditës dhe mbrëmjes së djeshme, për të marrë pjesë në fazën e dytë të “Kala Festival”, që zhvillohet nga 20-25 qershor.

Porti i Vlorës bën të ditur për ATSH-në se “gjatë ditës së djeshme dhe në orët e vona të mbrëmjes kanë ardhur tre katamaranë të linjës Himarë-Korfuz”, ku në total arritën 823 turistë.

Në fazën e parë të “Kala Festival”, që u zhvillua nga 12-19 qershor morën pjesë një numër i lartë turistësh të huaj. Biletat për të marrë pjesë në këtë festival janë shitur të gjitha që 3 muaj më parë.

Organizatorët tregojnë se këtë vit numri i pjesëmarrësve, krahasuar me një vit më parë, është 5-fishuar, një arsye pse kanë shtrirë edhe kohëzgjatjen e festivalit, nga 1 javë që ishte vjet, në 2 javë këtë vit.

Bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, priti Festivalin e dytë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri.

Ky festival, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë. Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij u zhvilluan ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare.

Këtë vit në festival marrin pjesë 5 mijë të rinj, jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga Zelanda e Re, Australia, Amerika. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukuritë e vendit./atsh

Loading...