Ndahet nga jeta një nga kallaratasit me kontribut të madh e të veçantë ndaj shoqërisë dhe vendlindjes

NJOFTIM PËR NDARJE NGA JETA TË ESHEREF MEMUSHI.
Kryesia e Shoqatës Kallarati njofton bashkëfshatarët e saj se dje në datën 15 shtator 2020 në Tiranë është ndarë nga jeta një nga kallaratasit me kontribut të madh e të veçantë ndaj shoqërisë dhe vendlindjes, Esheref MEMUSHI, duke lënë në pikëllim fëmijët, mbesat e nipërit dhe gjithë të afërmit e të dashurit e vet.
Homazhet dhe përcjellja do të bëhet sot në orën 13:00, nga Agjencia e Shërbimeve Funerale “Alba 2000” tek Medreseja drejt varrezave të Tufinës.
Esherefi lindi në Kallarat më 10 mars 1934. Ishte fëmija i katërt i Rrapushit e Xhevos dhe u rrit me dashurin e prindërve dhe të katër motrave, si djali i vetëm i familjes.
Si gjithë brezi i tij, kaloi një fëmini të trazuar nga varfëria e Lufta, kështu që filloren e bëri pas Luftës në fshatin e lindjes. Kreu shkollën teknike në Tiranë dhe pasi kreu shërbimin ushtarak, filloi punë si mekanik në minierën e Selenicës, ku më vonë u bë shef ofiçine. Më pas, u emërua shef i parkut të naftës në Peshkëpi dhe, më në fund, përgjegjës transporti në uzinën e sodës në Vlorë, derisa doli në pension. Kudo që punoi u dallua për përkushtimin ndaj punës dhe për kujdesin për njerëzit me të cilët punonte, duke fituar vlerësimin dhe respektin e tyre.
Në Selenicë krijoi edhe familjen, me bashkëshorte Salihe Tozajn, me të cilën lindën e rritën pesë fëmijë: Pajtimin, Trëndafilen, Gjenovefën, Arbenin dhe Teftën. Qenë një familje e lumtur. Por fati e goditi keq. E lanë me radhë bashkëshortja, Trëndafilja dhe Arbeni, me të cilin jetonte pas vdekjes së bashkëshortes. Këto plagë i mbetën të hapura, edhe pse Tefta dhe i shoqi u përpoqën t’ia lehtësonin sadopak dhembjen, duke e marrë në Tiranë dhe duke u kujdesur për të deri ditën e fundit. Uratat e tij dhe bekimet e të afërmve janë për Teftën, Arianin dhe dy vajzat e tyre.
Kryesia e Shoqatës Kallarati vlerëson kontributin e jashtëzakonshëm të Esherefit në kryerjen e mjaft detyrave drejtuese në rrethin e Vlorës dhe ndaj vendlindjes, Kallaratit. Gjithashtu ajo i shpreh familjes, fëmijëve, nipërve, mbesave dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta.
Edherefi u nda nga jeta në kohë të këqija, kur shumë nga të afërmit dhe miqtë nuk mund të vinë sot për t’u ndarë përjetë me të, me gjithë dhimbjen e thellë.
U prehtë në paqe.

Loading...