Një organizatë kriminale e përbërë nga shqiptarë, e konsideruar si një nga rrjetet më aktive të trafikut të kokainë në Europë, u godit falë një operacioni të zhvilluar në 10 shtete të ndryshme. Sipas një njoftimi të EUROPOL-it, grupi me emrin “KOMPANIA BELLO”, konsiderohet tanimë i shkatërruar, pas arrestimeve të 20 anëtarëve të tij, ndërsa gjatë viteve të shkuara ishin arrestuar 84 pjestarë të të tjerë, në Itali, Ekuador, Hollandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani.
Arrestimet e fundit çuan në pranga, 5 persona në Itali, 2 në Hollandë, 2 në Gjermani, 2 në Greqi, 1 në Rumani, 1 në Hungari, 1 në Spanjë, 5 në Shqipëri, dhe 1 tjetër në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në Shqipëri arrestimet u kryen në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës. Ndërkohë mes të arrestuarve të tjerë janë dhe 6 anëtarë të tjerë të grupit me origjinë po nga Shqipëria.
Organizata, mendohet të ketë ngritur një sistem tërësisht të ri të trafikut, ndryshe nga ç’kishin vepruar më parë importuesit ndërkombëtarë të kokainës, të cilët punonin veçmas nga shitësit me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Grupi rrëzoi të gjithë modelin dhe kontrolloi të gjithë zinxhirin e trafikut, nga organizimi i dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut deri te shpërndarja në të gjithë Evropën.
Kreu i organizatës, mendohet të jetë një 40 vjeçar shqiptar me qendër në Ekuador. Sipas hetimeve rezulton se “duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara të komunikimit, drejtuesi i rrjetit, negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, duke organizuar dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Evropës. Me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Hollandë dhe Shqipëri, u organizua shpërndarja më pas në të gjithë Evropën. Kokaina kalonte nëpër kufijtë europianë, e fshehur në automjete të modifikuara, ku ishin instaluar ndarje të fshehura të sofistikuara”.
Për të pastruar paratë e aktiviteteve kriminale, grupi përdori një sistem informal dërgesash, me origjinë kineze, i njohur si sistemi fei ch’ien. Njerëzit që përdorin fei ch’ien depozitojnë një shumë në një ‘agjenci’ të këtij sistemi në një shtet. Një operator tjetër tërheq shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia kalon marrësit të synuar. Në mungesë të provave evidente, rrjeti besohet tmegjithatë, të ketë pastruar miliona euro përmes këtij sistemi.
Operacioni ndërkombëtar me emrin “Los Blancos” që vlerësohet nga EUROPOL-i, si “i paprecedentë”, e ka zanafillën në një hetim 5 vjeçar i drejtuar nga prokuroria e Firences në Itali. Ai konsiderohet si më i madhi i këtij lloji ndonjëherë kundër krimit të organizuar shqipfolës. Autoritetet italiane bashkëpunuan ngushtësisht me homologët e tyre hollandezë, duke ngritur një ekip të përbashkët hetimor. Rreth 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milion euro në para janë kapur gjatë këtij hetimi.
Me ndihmën dhe financimin e EUROJUST dhe EUROPOL-it, ekipi i përbashkët hetimor, punoi për një kohë të gjatë për të zbuluar madhësinë dhe kompleksitetin e veprimtarisë kriminale të organizatës “KOMPANIA BELLO”, si dhe për të krijuar një strategji të përbashkët e për të organizuar shkëmbimin intensiv të informacionit dhe provave të nevojshme për t’u përgatitur për fazën përfundimtare të hetimit.
Për ndjekjen e operacionit, në selinë e EUROPOL-it, u krijua një qendër e përbashkët komanduese operacionale për të koordinuar veprimet e ndryshme që ndodhin njëkohësisht në të gjitha vendet e përfshira. Një ekspert i EUROPOL-it, u vendos gjithashtu në Firence për të siguruar mbështetjen e duhur operacionale për autoritetet italiane, duke ofruar një analizë të shpejtë të të dhënave të reja ndërsa ato po grumbulloheshi gjatë veprimeve në terren. Nga ana tjetër, koordinimi gjyqësor u sigurua nga një qendër koordinimi në EUROJUST, me përfshirjen në kohë reale të një grupi prokurorësh dhe gjyqtarësh për ekzekutimin dhe përshtatjen e kërkesave të ndërsjellta të ndihmës juridike të nevojshme për të kryer veprimet ndërkufitare. /Voa/