Kryeministri Edi Rama iu përgjigj nga Gjermania deklaratave të presidentit Ilir Meta. Sipas Ramës, kreu i shtetit flet sipas hënës.
Zoti Kryeministër, ndërkohë që ju zhvillonit këtë vizitë në Gjermani, në Tiranë ka zhvillime politike. Edhe një herë, Presidenti duket sikur ka kërcënuar maxhorancën, duke e çuar Parlamentin drejt shkrirjes. Keni ju një koment për deklaratat e Presidentit?
Kryeministri Rama: Nuk i kam ndjekur deklaratat e Presidentit, nuk përbëjnë asnjë surprizë në çfarëdo forme që ato të materializohen. Presidenti ka një raport shumë personal me rrotullimin e hënës, kështu që varet nga dita dhe varet nga kahja e hënës në momentin kur flet.
Ndërkohë që Parlamenti vazhdon punën, jo vetëm që është legjitim, por është në krye të detyrës e do të vazhdojë të kryejë detyrën për të reflektuar në Kodin Zgjedhor ndryshime të rëndësishme që ndodhën përpara mbylljes së sesionit të kaluar, duke i hapur rrugë listave të hapura dh njëkohësisht, duke konsoliduar sistemin zgjedhor me një ndryshim të domosdoshëm të formulës së koalicioneve, nga një formulë absurde, e cila ishte krejtësisht unikale dhe të cilën nuk e ka asnjë vend, në një formulë që e kanë të gjitha vendet europiane, që kanë koalicionin si një mundësi dhe që krijojnë koalicione parazgjedhore.
Zoti Kryeministër, propozimi i Damian Gjiknurit për lista të hapura duket sikur nuk është pritur mirë nga opozita, e cila në fakt e ka konsideruar këtë propozim si një mundësi që këto lista të jenë më shumë të mbyllura.
Kryeministri Rama: Propozimi nuk është asnjë shpikje. Propozimi i referohet një modeli që e kanë disa vende demokratike që përdorin listat e hapura. Çdo propozim është i diskutueshëm. Unë uroj dhe shpresoj që opozita jashtëparlamentare të mos humbi kohë, siç e ka zakon, sepse koha nuk pret, zgjedhjet janë në 25 prill. Votimi i ligjit zgjedhor është vetëm hapja e një procesi ku pastaj do duhet të zbatohet ligji zgjedhor. Të mos harrojmë që me ligjin zgjedhor kemi dhe angazhimin për sistemin e identifikimit elektronik dhe sa më shumë humbet kohë, aq më pak bëhet i mundur implementimi i këtij sistemi. Edhe një herë e përsëris, opozita është e mirëpritur të diskutojë, të japë alternativa, por që të pengojë procesin siç e ka zakon, duhet ta harrojë një orë e më parë, sepse nuk ka kohë për të pritur e sigurisht, ne nuk do të presim në pafundësi.