Policia e shtetit pranoi ne nje sqarim per publikun se qytetaret e Elbasanit kishin denoncuar qe ne maj te ketij viti konfliktet me shtetasin Lefter Zhidru, i cili u vra nga RENEA diten e djeshme pasi qendroi per pese ore duke kercenuar me arme.
Banoret e Elbasanit dhe qytetaret qe jetojne ne pallatin ku ndodhi ngjarja, deklaruan gjate dites se i kishin shkruar drejtorit te policise Ardi Veliu, ndersa ne sqarimin e policise thuhet se letra i ishte percjelle policise se Elbasanit.
Sqarim i Policisë së Shtetit
Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media se një shtetase nga lagjja “11 Nëntori”, Elbasan, i ka dërguar e-mail Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për t’i kërkuar ndihmë për një konflikt që kishte me shtetasin Lefter Zhidru, sqarojmë opinionin publik se:
Më datë 04.05.2020, në adresën zyrtare të e-mail-it policiaeshtetit@asp.gov.al, është dërguar e-mail nga zonja, e cila ka raportuar konfliktin që kishte me këtë shtetas.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse.
Këto struktura kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën, duke kryer veprimet e nevojshme, mbi bazën e procedurave standarde të punës.
Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici. Mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit.
Policia e Shtetit fton çdo media ta kontaktojë zyrtarisht, për të shmangur informacionet e pasakta, si dhe qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim me shpejtësi dhe profesionalizëm.