Shkolla shqipe “Naim Frashëri“ në Macerata, Itali, e hapur dy vjet më parë, ka për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko thekson sot se “shkolla shqipe “Naim Frashëri“ në Macerata, Itali ka festuar dyvjetorin e hapjes së saj. Misioni i kësaj shkolle është mbajtja gjallë e traditave dhe ruajtja e identitetit kombëtar nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe si dhe të elementeve të tjerë të kulturës dhe traditave”.
Interesimi i prindërve për regjistrimin e fëmijëve të tyre në shkollën shqipe “Naim Frashëri” ka qenë i lartë, kjo ka sjellë rritjen e numrit të nxënësve dhe është motivi madhor, i cili po çon përpara këtë iniciativë.
Stafi i kësaj shkolle punon për të dhënë më të mirën e mundshme që nxënësit të mësojnë gjuhën shqipe për të ruajtur identitetin si shqiptar pavarësisht integrimit në shoqërinë e vendit ku këta fëmijë jetojnë, në Itali./atsh