Shefi i Komisariatit të Vlorës Edmond Pjetri dhe ai i Himarës Arjan Tase jane pezulluar nga detyra per shkak te parcelave me kanabis te kultivuara ne zonen e Vlores.
Ata akuzohen se nuk kanë raportuar për parcelat ku kultivohej kanabisi, të cilat u zbuluan pas kontrolleve nga ajri me helikopter.
Bashke me ta u pezulluan edhe 4 punonjës të tjerë policie në qarkun e Vlorës, si dhe u dha vërejtje për 16 të tjerë.
Ngjarja eshte denoncuar edhe nga PD, Dega Vlore:
Lleshi shkarkon Lleshin!
Në Vlorë po luhen meloditë e zakonshme në stinë zgjedhjesh e ka nisur vallja tradicionale rreth parcelave me kanabis.
Sipas mediave, janë shkarkuar 22 oficerë të policisë dhe dy kryepleq për moskallëzim të parcelave me kanabis në Vërmik e Bolenë.
Të paktën deri sot në mëngjes, secili prej tyre, po të marrim seriozisht Sandër Lleshin në ato që thotë, ishte fytyra e tij.
Sot në mbrëmje ajo fytyrë u zhvesh në gjithë hipokrizinë e saj, sadoqë kurbanët e kanabisit i duhen Sandër Lleshit e rilindjes, po aq sa parcelat me kanabis.
Ka të ngjarë, që sa më shumë kurbanë të propagandës të shtohen, aq më shumë parcela të mbillen e të fshihen nëpër skërkat e Zonës së Parë Operative, brigjeve e bokërrimave legjendare të partisë.
Por, është vonë!
Asgjë nuk bën fajde në një shtet që luan me veten “polici i mirë” – “polici i keq”.
Ministri u krekos me batutën e fytyrës, por si çdo rilindas, u pa sherrin mburkave patetike.
Fytyra ikën vetëm një herë e nuk kthehet më!