Kryeministri Edi Rama ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Presidentit Ilir Meta duke e akuzuar se po kontakton nëpër skuta me subjekte të Operacionit Forca e Ligjit.
Sipas Ramës, Meta ta harrojë se duke përdorur Kushtetutën mund t’i shkojë kjo gjuhë me Partinë Socialiste ashtu siç bën me viktimat e OFL-së.
“Patjetër që PS nuk është as kompani fitimprurëse dhe nuk është as PD, as një furgon i shpikur KCK dhe as një tren mallrash si kartelet e koalicioneve të PD, është një familje politike ku ka rregulla dhe ka të drejtë që të rendisë skuadrën e vet, nga portieri te sulmuesi bashkë me rezerva dhe çdo rezervë që merr votat futet në fushë, shumë e thjeshtë.
SHPK për të lëshuar deri në viktimat e OFL që kontaktohen nëpër skuta katundesh nga i pari i vendit nuk ka. T’i harroj Ilir Meta, që del e flet në emër të Kushtetutës me një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OLF, po nuk i shkon e PS dhe popullin shqiptar” tha Rama.
“Lista të hapura që zënë formulën e hapjes, mbjellin llumin, paranë e zezë, forcat që ushtrojnë presion nëpër komunitete t’i harroni ju, t’i harrojë kushdo tjetër, t’i harrojë edhe Ilir Meta, që del e flet në emër të kushtetutës, shqiptarëve, me një gjuhë që i shkon me viktimat e OFL, por jo me PS, deputetët apo popullin shqiptar se do i afishojë ai kandidatët e do zgjedhë populli, me çfarë do e bëjë këtë me ato armët që do rrëmbeheshin në 2017? Shqipëria ka nevojë për të gjithë, unë nuk jam fshehur, por nuk jam udhëheqës i PS për të ushqyer partitë e vogla.
Në këtë histori ato s’kanë sjellë kurrë gjë, janë grupe interesash, shantazhierësh, kanë shqyer më shumë se sa të mëdhatë plaçkën shtet, partitë e vogla janë parti pengmarrësish që vijnë në parlament për të kapur një ministri, për ta bërë degë të thesarit të atij që ka vulën. Kjo është e vërteta. Fakti që kanë qenë të tilla deri më sot s’do të thotë që as të pengohen e as që të jetën ndryshe nesër. Kjo është bindja ime. Unë e di çfarë do Ilir Meta. Doni të grumbulloni njerëz rrugës e t’i thoni turru vëlla, mblidhi, kapi, lidhi, silli, e pastaj të vijë kush të vijë këtu për tu turrur, kapur, çuar te shpia pastaj”,- tha Rama.