Kryetari i PD Lulzim Basha takoi naftetaret qe ndodhen ne diten e 9 te greves se urise ne Ballsh. Kryedemokrati tha se problematika per te cilen ata po protestojne, me se shumti eshte shkaktuar nga korrupsioni.
Deklarata e Bashes:
Sot pasdite u takova me naftëtarët në Ballsh, të cilët kanë hyrë prej ditësh në grevë urie, si rruga e fundit për të kërkuar pagat e tyre të papaguara.
Për fat të keq, korrupsioni, skemat mashtruese dhe babëzia e pushtetit e kanë shndërruar naftën, nga një bekim prej Zotit, në një mallkim për banorët dhe veçanërisht për naftëtarët që punojnë dhe nuk marrin shpërblimin për mundin dhe djersën e tyre.
E kam diskutuar gjerësisht mundësinë e zgjidhjes së kësaj situate dhe së bashku me ekspertët tanë gjetëm si opsionin më të mirë dhe më të shpejtë, që naftëtarët dhe familjet e tyre të mos vazhdojnë të vuajnë e zhyten në borxhe, pagesa e pagave të fituara me gjyq të mbulohet nga shteti.
Dhe njëkohësisht kjo shumë prej 8 milionë eurosh do t’u merret përgjegjësve dhe abuzuesëve që e kanë çuar situatën në këtë gjendje. Çdo qindarkë e grabitur në këto afera nga kompani që vijnë e shkojnë në ortakëri me qeverinë, do t’i kthehet naftëtarëve dhe qytetarëve të Ballshit.
Sot është koha që edhe SPAK të nisë hetimet dhe të çojë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me këtë pasuri të madhe dhe me mundin dhe djersën e naftëtarëve.
Ballshi, si një ndër zonat më të pasura me burime natyrore, do të duhej të ishte qendër e një rajoni të zhvilluar dhe jo një zonë ku qytetarët nuk sigurojnë dot ushqimin e fëmijëve dhe ilaçet e tyre.