Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, i është përgjigjur ‘dhëmb për dhëmb’ kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të forta të tij në Asamblenë e PS.
Në një deklaratë për media, Kryemadhi tha se Rama ka frikë nga LSI, duke shtuar se klithmat e kryeministrit sot tregonin haptazi sondazhet e tij. Sipas Kryemadhit, Rama është në ankth, pasi sot në Asamble i merrej fryma.
“Urrejtja psiqike e Ramës nuk mund të fshihet. Dua të theksoj disa gjëra, meqenëse përmendeshin nga Rama. Lista e dështimeve të tij është më e gjatë se lista e votuesve shqiptarë. Duke filluar me vendet e punës, pagat e luftës, që nuk i ka shpërblyer, madje iu merr edhe para nga xhepat që të blejnë dezinfektues. Rreth tij qëndrojnë vetëm injorantë, që nuk dinë të dallojnë dekoratën, as nuk njohin historinë e kombit shqiptar. Një shtet pa heronj, nuk mund të ekzistojë. Vetëm në Bashkinë e Tiranës janë mbyllur mbi 100 mijë vende pune.
Më vjen mirë që Rama ka frikë nga LSI. Klithmat e Ramës sot tregonin haptazi sondazhet e tij dhe numrat për deputetë të LSI. Akoma nuk e ka kuptuar ilaçin se sa më shumë ta sulmosh LSI, aq më shumë shtohet ajo. Sa më shumë të luftosh dhe përdhosësh shqiptarizmin, aq më e fortë bëhet ndjenja për ta mbrojtur atë. Ai s’e ka kuptuar akoma këtë, ose është as i lodhur, apo aq nën efektin e drogërave, sa ka filluar të bëjë gjëra që nuk rekomandohen. E kuptoj ankthin që ka, sepse i merrej fryma, dhe do t’i sugjeroja stafit të tij ta pajiste me një pompë.
Uroj që kjo vështirësi të jetë nga makthi që ka. Se kush është kryetar i LSI i bëj të qartë Edi Ramës se LSI nuk ka kryetar, kryetarë të LSI janë të gjithë. Edhe Meta ka qenë kryetar i LSI, por LSI ka pasur të rinj e të reja, burra e gra. LSI ka ata njerëz që e duan vendin, ata anëtarë që janë të gjithë kryetarë e që duan ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve. Nëse Rama me shpurën e tij ka vendosur të jetojë jashtë, kjo është puna e tij”, deklaroi Kryemadhi.