Artan Hoxha: Në mes të kanabisit jam futur që në kohën e Metës, fara e mbjellë erdhi nga Holanda

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar sërish videot që ka publikuar nga vende të ndryshme të Shqipërisë, ku shihen parcela me kanabis.
I ftuar në studion e ABC News, Hoxha tha se videot që ka publikuar nga Malësia e Madhe janë xhiruar gjatë këtij sezoni dhe se fara për ato bimë narkotike ka ardhur nga Holanda.

Gazetari shtoi se ai është futur mes parcelave të kanabisit në çdo lloj kohe, që kur kryeministër ishte Ilir Meta dhe paralajmëroi rreziqe të mëdha nga paratë e drogës.
“Të gjithë rrinë pesë ditë vërdallë ku të gjithë e dinë që ajo ka ndodhur për kanabisin. Policia i di vetë ato parcela dhe tani është vënë në siklet për shkak se nuk mund të lejojnë kultivuesit e tjerë.

Unë mes të kanabisit kam hyrë që kur kryeministër ka qenë Ilir Meta, e deri te Rama sot.

Ajo farë që pashë unë atje ka ardhur nga Holanda por uji, toka dhe dielli që ka marrë ajo farë është e Shqipërisë dhe ato para do shkaktojnë një problematikë shumë të madhe.

Kryeministri është kapur me presh në dorë dhe do të relativojë situatën. Grupet kriminale mbjellin kanabis në Greqi, Spanjë në Belgjikë dhe në Britani. Kanë marrë edhe vila luksoze.

1 kg kanabis në Angli është 4700 paund ndërsa në Shqipëri është 1600 euro. Kriminaliteti shqiptar e ka eksportuar fuqitë punëtore që kishin në Shqipëri,”- tha Artan Hoxha ndër të tjera.

Loading...