Duke folur në televizionin “CBS”, Tillerson tha se Trump ka kërkuar nga ai, derisa ende ishte në detyrë, të bëjë gjëra që shkelin edhe ligjin.
“Mua veçanërisht më erdhi rëndë, pasi erdha nga kompania ExxonMobil, e cila ishte e disiplinuar dhe funksiononte mirë, punonte me një njeri i cili është i padisiplinuar, i cili nuk e do leximin, nuk i lexon raportet nga brifingjet dhe nuk u kushton vëmendje detajeve në shumë gjëra dhe vetëm thotë ‘Unë besoj në të’”, tha Tillerson.
Ai tha se Trump zakonisht vepron sipas instinktit të tij, duke shtuar se ndonjëherë kjo duket shumë impulsive.
Tillerson gjithashtu kritikoi përdorimin e Twitter-it nga Trump, duke vënë në dukje se është i shqetësuar se qytetarët amerikanë duhet vetëm përmes rrjeteve sociale të mësojnë për ngjarje shumë të rëndësishme.
Trump në mënyrë ‘eksprese’ reagoi pikërisht përmes Twitter-it, duke thënë se është i kënaqur me punën që bën sekretari i tanishëm i Shtetit, Mike Pompeo.
“Mike Pompeo punën e tij e bën në mënyrë të shkëlqyer, jam shumë krenar për të. Paraardhësi i tij, Rex Tillerson, nuk posedonte kapacitetin e duhur mendor. Ai ishte shumë budalla dhe nuk munda të shpëtoja prej tij kaq shpejtë. Ai ishte shumë dembel. Tani është një lojë krejt e re, kemi një atmosferë të mrekullueshme në shtet”, shkroi Trump.
Megjithatë, pas emërimit të tij si sekretar shteti, Trump pati thënë për Tillerson se ai ishte një nga “liderët më të mëdhenj të biznesit global”.
Trump në mars të këtij viti shkarkoi Tillerson, sepse siç ka deklaruar “nuk pajtoheshin për çështje të caktuara”. Më pas presidenti amerikan tha se kishin mendime të ndryshme rreth marrëveshjes bërthamore të Iranit.
(BalkanWeb)