Kryedemokrati Lulzim Basha në bashkëbisedimin me gazetarët, komentoi deklaratën e kryeministrit Rama se nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin të dielën, ato i fitonte PS.
Sipas tij, me të gjitha lëvizjet e fundit politike, kryeministri ka treguar se ka frikë dhe se është kapur në flagrancë. Basha tha se nuk ka asnjë diskutim që zgjedhjet i fiton opozita.
“Ne kemi 2 vjet që kërkojmë zgjedhje të parakohshme, dogjëm mandatet për to, pse nuk i bëri ai? Pse ky njeri që kontrollon buxhetin, paratë e pista donte të merrte edhe komisionerët e opoziës?
Pse hodhi në erë paktin e shkruar në Rezidencën e Ambasadës Amerikane të përshëndetur nga ndërkombëtarët duke i mbyllur derën e nisjes së negociatave nëse i dilnin sondazhet në rregull? Këto janë deklaratat e një njeriu në panik dhe të kapur në flagrancë. Edi Rama ka mbaruar, sa më shpejt që më mirë! Opozita do i fitojë thellë zgjedhjet dhe shqiptarëve do ju kthejë shpresën për të nesërmen”,- tha Basha.
Kryedemokrati shtoi se, “Shqetësimi kryesor i imi është ai i qytetarëve. Nuk kursej asgjë që do ta ndihmonte situatën nëse zgjedhjet do ishin mbajtur në 2019 rruga e së keqes do ishte shkurtuar, sa më shpejt të shkurtohet aq më mirë. Unë detyrën kam për ta bërë për interesat e shqiptarëve të thjeshtë. Kjo nuk është kacafytje politike, por luftë për ta larguar Shqipërinë nga e keqja”.