U kap me 48 kg kanabis në banesë, arrestohet 52-vjeçari në Himarë

Një 52-vjeçar është arrestuar në Vlorë, shtetasi me iniciale H.K, është kapur me 48 kg drogë të llojit kanabis.

Mësohet se lënda narkotike 52-vjeçarit i është gjetur në banesën e tij në fshatin Kuç të Himarës.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar përreth banesës së tij, shërbimet e Policisë evidentuan dhe asgjësuan disa bimë narkotike të cilat dyshohet se i ka kultivuar 52-vjeçari.

Mbi të rëndojnë veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Koordinata”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë dhe forcën e posaçme “Shqiponjat”. Sekuestrohen 48 kg kanabis.

Vihet në pranga 52-vjeçari, poseduesi i lëndës narkotike dhe autori i dyshuar i tentativës për kultivimin e bimëve narkotike.

Në vijim të kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në territorin e fshatit Kuç, një person posedonte në banesë lëndë narkotike, si dhe kishte kultivuar bimë narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Koordinata”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit:

H.K., 52 vjeç, banues në fshatin Kuç, Himarë.

Si rezultat i këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H. K., në fshatin Kuç, Himarë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 48 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar përreth banesës së tij, shërbimet e Policisë evidentuan dhe asgjësuan disa bimë narkotike të cilat dyshohet se i ka kultivuar ky shtetas.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Loading...