Pas 94 vitesh, Korça me aeroport

Pas 94 vitesh, Korça do të ketë sërish aeroport.

Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari informoi mbi nismën më të fundit për ndërtimin e aeroportit të Lumalasit në Korçë, një projekt me një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e turizmit në këtë rajon.

Sipas Spirollarit, tashmë ka përfunduar studimi i fizibilitetit për këtë projekt, studim i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me kërkesë të këshillit bashkiak të Korçës. Ndërkohë, sipas tij, për këtë projekt kanë shprehur dakordësinë të gjitha bashkitë e qarkut.

Projekti për ndërtimin e aeroportit të Lumalasit ka një vlerë investimi 25 milionë euro, dhe parashikohet të realizohet hap pas hapi.

Fillimisht ai do të funksionojë për uljen e avionëve të vegjël turistik, për aviacionin e përgjithshëm dhe më pas synohet vendosja e tij në eficencë si një aeroport low cost me linja ndërkombëtare.

Pak ditë më parë, Prefekti Spirollari organizoi një takim me përfaqësues të pushtetit vendor dhe atij qendror për aeroportin e Lumalasit. Këto diskutime u fokusuan te nisja e këtij projekti madhor, pa pasur paraprakisht investime të mëdha, dhe më pas hap pas hapi të sigurohen të ardhura që do investohen drejtpërdrejt në këtë projekt.

Pas 94 vitesh, tashmë Korça do të ketë sërish një aeroport funksional. Nga viti 1924-1944, Korça kishte aeroportin e vetë funksional, i cili përdorej kryesisht për transportin e brendshëm ajror dhe që siguronte lidhje me Tiranën, Peshkopinë, Shkodrën etj.Atsh

Loading...