Perëndimi i diellit në Himarë ka tërhequr vëmendjen e fotografit italian Luigi Marzo, duke na dhuruar fotografi të mrekullueshme të vendit tonë.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “ja ku jemi kaq afër nga kjo fotografi me kurorën e ullinjve të Otrantos dhe përballë Himara jonë kryelartë, me realizimin fantastik të mikut të veçantë Luigi Marzo që na dhuron përherë foto të mrekullueshme”.
Më një bregdet të mrekullueshëm dhe male të larta, Himara vijon të tërheqë vëmendjen e turistëve të shumtë, ku gjatë këtij viti pati një rritje prej 20% të tyre.
Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.
Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike, monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë./ATSH