Kosova ka vendosur të marrë masa të reja, pas shtimit shqetësues të rasteve me koronavirus dhe viktimave.
Ministria e Shëndetësisë publikoi në “Facebook” masat e reja të miratuara nga qeveria. Të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Kosovë e që vijnë nga vendet me risk të lartë duhet të jenë të pajisur me test negativ.
Të gjitha baret e restorantet dhe qendrat tregtare duhet të mbyllen nga ora 21.00 deri në 05.00. Brenda orarit të lejuar mund të punojnë duke respektuar distancën prej 2 metra hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe të mbajnë dezinfektantët për duar në çdo tavolinë, të cilat mund të shfrytëzohen nga klientët.
Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjes në objekte publike dhe private. Po ashtu, ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike.
Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, dasmat. Qytetarëve të Kosovës u lejohet pjesëmarrja në ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në objektet fetare dhe jashtë tyre, në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19.
Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjes në objekt. Aktivitetet kulturore lejohen pjesërisht, si edhe aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat.
Detrohen të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektantët për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtoret e institucioneve dhe vizitorët.