Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE) u mblodh sot për të diskutuar mbi kapitullin 24 në negociatat me Bashkimin Evropian (BE).
I ftuar në takimin që u mbajt online ishte ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj dhe nënkryetari i komisioni, Taulant Balla. Ministri Lleshaj preku temën e azilkërkimit nga shqiptarët dhe çështjen e kanabisit.
Për çështjen e kanabisit, Lleshaj tha se sasia që trafikohet nga Shqipëria është ulur.
“Sasia e kanabisit e trafikuar nga Shqipëria është ulur ndjeshëm,”- tha Lleshaj.
Lleshaj tha se azilkërkimi është ulur ndjeshëm pas masave të ndërmarra nga qeveria, ndërsa shtoi se me këtë fenomen është abuzuar tejmase.
Ministri shtoi gjithashtu se qeveria ka punuar me ndërgjegjësimin e qytetarëve, përmirësimin e kushteve në vendin tonë, në mënyrë që qytetarët të mos kërkojnë largimin nga vendi.
Sipas ministrit të Brendshëm, piku i azilkërkimeve ishte në vitin 2015, për shkak të fluksit të refugjatëve nga konflikti në Siri.
“Shifrat e azilkërkimit nga shqiptarët në BE janë ulur në krahasim me pikun e tyre në 2015.
Them viti 2015 sepse ishte viti kur kulmoi fluksi i refugjateve nga konflikti në Siri, u hapën shumë dyer në BE, mes tyre ishte edhe Shqipëria dhe u krijua një mundësi për shumë qytetarë që menduan se ky është rasti për të ndryshuar jetën.
Fenomeni vazhdon të ulet përditë falë masave, por edhe falë ndërgjegjësimit të qytetarëve azilkërkimi është një fenomen abuziv.
Nuk ka arsye që Shqipëria të prodhojë azilantë. Evropa nuk pranon që Shqipëria prodhon azilantë.
Ne duam të shterojmë azilkërkimin dhe më pas t’i japim hapësirave qytetarëve për të lëvizur në kuadër të një lëvizje të natyrshme që orientohet tek tregjet,”- tha Lleshaj.
Nënkryetari i KKIE-së, Taulant Balla, tha se Shqipëria është në prag të marrjes së vendimit për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
“Shqipëria vazhdon të jetë e ankoruar në projektin historik, pikërisht në atë integrimit në familjen evropiane”, tha Balla.