Përplasja e egër e Macron me myslimanët, tensione në mbarë Evropën

Ndoshta ai e dinte se çfarë ishte dukë bërë. Ose ndoshta jo. Sido që të jetë e vërteta, Emanuel Makron e vendosi muajin e shkuar Francën dhe Evropën në një kurs të ri përplasjeje me botën Islame, dhe kjo në emër të lirisë.

Java e fundit e sulmeve vdekjeprurëse terroriste,tregoi se presidenti francez mund të ketë nisur diçka që mund të mos ketë mundësi ta përfundojë.Fjalimi i tij pasionant më 2 tetor, duke u zotuar ta luftojë “islamizmin radikal”, të zhdukë “separatizmin”dhe të ruajë me çdo kusht vlerat laike, e paralajmëroi krizën e fundit që po shohim.
Në atë kohë ajo deklaratë u lexua si e bërë enkas për konsum politik të brendshëm, me synim dobësimin e pozitave të ekstremit të djathtë të Francës, përpara fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2022. Por udhëheqësit myslimanë u tërbuan nga përshkrimi që Makron i bëri Islamit si një besim që është “në krizë në gjithë botën” dhe se ai është marrë në fakt peng nga ekstremistët.

Pastaj, 2 javë më vonë, pas vrasjes së një mësuesi në një shkollë në Paris, Samuel Pati, nga një islamik i lindur në Çeçeni, Makron e ashpërsoi më tej gjuhën e tij. Mbrojtja prej tij e karikaturave famëkeqe të Profetit Muhamed, të ribotuara së fundmi nga“Charlie Hebdo”, të cilat Pati ua kishte treguar nxënësve, dhe një sulm kombëtare ndaj xhamive, hoxhallarëve dhe grupimeve islamike i hodhi benzinë zjarrit.

Vetë Franca ishte “nën sulm”, deklaroi në mënyrë dramatike Makron, një frazë që ai e përsëriti edhe të enjten shkuar.Udhëheqësit politikë dhe fetarë nga Bangladeshi në Jordani, dhe demonstruesit anti-francezë shfaqën publikisht zemërimin e tyre, duke e akuzuar atë se po bën“punën e Satanit”.

Pjesa më e madhe e asaj që ai tha, u keqkuptua ose shtrembërua me qëllim. Edhe e vërteta ishte gjithashtu një viktimë.Megjithatë, fakti mbeti:duke mbrojtur me zë të lartë dhe pa kompromis vlerat franceze, Makron kishte arritur njëherazi të zemëronte opinionin mysliman dhe me sa duket të aktivizonte ekstremistët.

Rezultati i menjëhershëm dhe i zymtë, që me të drejtë apo të padrejtë do të vendoset në derën e tij, ishte një varg sulmesh në Nisë, Avinjondhe Arabinë Saudite. Franca, që po përpiqet të vërë nën kontroll përhapjen e pandemisë së Covid, është aktualisht në nivelin më të lartë të alarmit nga sulmet terroriste, teksa shkollat dhe kishat po ruhen nga roje të armatosura.

Makron nuk mund të fajësohet pse përkrah idealet francez të post-Iluminizmit për një shoqëri të barabartë, të integruar, laike dhe republikane. Por ai dhe udhëheqësit e tjerë evropianë, përballen tani me një reagim të fuqishëm islamofobik, anti-mysliman, që mund të shkaktojë akoma më shumë gjakderdhje.

Dhe ky shpërthim i papritur i dhunës i prek potencialisht të gjithë. Të gjitha qeveritë e Evropës, rrezikojnë të preken nga një polarizim më i madh, me pasoja të dukshme negative për paqen, sigurinë dhe kohezionin social.

Ashtu si me Tubimin Kombëtar në Francë (ish Fronti Kombëtar), mbështetja publike ndaj partive populiste islamofobe dhe anti-emigrante të ekstremit të djathtë populist, ka rënë ndjeshëm. Udhëheqësit myslimanë si Imran Khan i Pakistanit, kanë shfrytëzuar rastin për të shmangur zemërimin e popullatës për dështimet e tyre.

Kritikët e Macron do të thonë se kjo është ajo që ndodh nga të pasurit e një presidenti perandorak, që po nxiton të marrë frenat e udhëheqjes evropiane. Makron dëshiron ta shndërrojë BE-në në një bllok më të fuqishëm dhe të pavarur që i reziston me vete SHBA-së, Kinës dhe Islamit.

Por kostoja për vizionin e tij evropian neo-Golist vazhdon që të rritet.Edhe kundërshtarët më të vendosur të Evropës, kanë parë shanset e tyre në këtë situatë. Më kryesori është presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Ai deklaroi se Makron ishte mendërisht i paekuilibruar.

“Historia jonë është një betejë kundër tiranisë dhe fanatizmit”-u kundërpërgjigj Makron përmes Tëitter-it. Erdogan është një nacionalist islamik autoritar dhe shumë antipatik. Por në një aspekt, ai dhe Makron janë njësoj. Edhe Erdogan e cilëson veten një udhëheqës pan-rajonal, dhe një tutor dhe mbrojtës të botës myslimane sunite.

Kjo ambicie u simbolizua nga ri-emërtimi provokues i ish-katedrales së Stambollit, Hagia Sophia, në një xhami.Harroni përballjet Trump vs Bajden në SHBA. Erdogan vs Makron është përballja kryesore e këtij viti. Që të dy janë përplasur disa herë mbi rezervat e diskutueshme të gazit në Mesdheun lindor, mbi Libinë, Sirinë dhe Nagorno-Karabakun.

Me nxitjen e Makron, samiti i dhjetorit i liderëve të BE-së do të diskutojë vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë.Megjithatë, idetë kundërthënëse të dy burrave dhe rivalitetet gjeopolitike mes 2 vendeve, nuk e shpjegojnë thellësinë dhe gjerësinë e zemërimit të botës myslimane.

Ajo buron nga shqetësimi i ndjerë nga shumica myslimane jo e dhunshme mbi Islamofobinë e rrënjosur në Evropë, ndaj diskriminimit racor, pandjeshmërisë kulturore dhe politikave mizore ndaj emigrantëve.Neokolonializmi i perceptuar francez në Sahel, dhe indiferenca e dukshme e Perëndimit ndaj tmerreve të pafundme që po përjetojnë myslimanët në Siri, Jemen, Afganistan, Mianmar dhe Xinjiang të Kinës, i ushqen më tej tensionet.

Për shumë myslimanë, projeksioni i karikaturave të Profetit Muhamed në muret e disa qyteteve franceze pas vdekjes së Pati ishte një akt i patolerueshëm. Por po i tillë ishte edhe sulmi terrorist ndaj një kishe në Nisë. Nga të dy palët, mungesa e respektit është një pjesë e madhe e problemit.

Ndikimi shkatërrues i Covid-19 e ka zbehur më tej durimin, duke i vendosur kudo nën presion qeveritë dhe qytetarët. Në këtë situatë delikate Makron ka hedhur hapin e parë, duke rritur dhe jo zvogëluar keqkuptimin në një periudhë të një stresi ekstrem.

Një studim i Peë Research vitin e kaluar, zbuloi se shumica e qytetarëve në Britani, Francë, Holandë, Gjermani dhe Suedi, kishin mendime pozitive për myslimanët në vendin e tyre.

Ndërkohë, në Itali dhe Evropën Jugore dhe Lindore, ka një negativitet më të madh ndaj tyre.

Megjithëse partitë populiste të ekstremit të djathtë, vazhdojnë që ta shfrytëzojnë frikën mbi identitetin dhe emigracionin, sidomos në mesin e njerëzve më pak të arsimuar dhe të moshuar, dhe ndonëse incidentet e regjistruara të islamofobisë janë në rritjes, tensionet e përgjithshme kanë rënë krahasuar me 5 vjet më parë.

Nga ana tjetër, politika franceze që synon asimilimin në një shoqëri të thjeshtë “laike” – ndryshe nga multikulturalizmi ‘laissez-faire’ i stilit britanik – duket shumë e ngurtë. Makron duhet të mendojë sërish se si të zbatohet ajo.

Marrëdhënia midis myslimanëve dhe jomyslimanëve në Evropë, mbetet e brishtë. Rreziku është i dukshëm. A do ta fusë Evropën në një spirale të re përplasjeje të egër me Islamin, mbrojtja e justifikuar por e egër e vlerave franceze nga ana e Makron? Le të shpresojmë që jo.

Loading...