Twitter e ka etiketuar një postim nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, në të cilin ai e përgëzon Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe i akuzon “mediat kryesore” për “mohimin e fakteve”.
“Burimet zyrtare mund të mos i kenë shpallur rezultatet kur kjo është postuar”, ka shkruar Twitter nën postimin e tij.
Jansha vazhdimisht ka shprehur mbështetjen e tij për Trumpin dhe politikat e tij qëkur është bërë kryeministër i Sllovenisë në muajin mars, shkruan BBC.
Shumë shtete në SHBA janë duke vazhduar numërimin e votave dhe as Trump, as sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, nuk mund të pretendojnë ende fitore bindëse.
Trump, para kohe, ka pretenduar fitoren dhe ka paralajmëruar se mund ta çojë rezultatin e zgjedhjeve në Gjykatën Supreme.
Biden ka thënë se është i bindur se është “në rrugën e duhur” për të fituar, por ka bërë thirrje për durim derisa numërimi i votave vazhdon.
Numërimi i votave që mund ta përcaktojnë rezultatin, vazhdon edhe në gjashtë shtete: Nevada, Xhorxhia, Miçigen, Karolinë e Veriut, Pensilvani dhe Uiskonsin.