Reshat Arbana modeli etalon i artit shqiptar

Tek e sheh ashtu si një div, me zërin që bredh furishëm si ndër bjeshkët në furtunë, të duket se ai njeri është shqiponjë, është hy, është vetë natyra. Magjia e zërit, statura e tij fizike, jehona e shpirtit, përbëjnë një organikë, që I kanë sjellë vend nga më të çmuarit e prestigjioz në panteonin e bukur të artit shqiptar. Është ndër yjet më shkëlqyes të periudhës së artë të kinematografisè shqiptare.

I ashpër në dukje,me një fizionomi maskiliste afashinante dhe goditëse 

me shpirt të brishtë si lëndinë pranvere, Reshat Arbana, patjetër, që përbën modelin etalon për artin shqiptar. Dinjitoz, ai vjen me 45 role në kinematografi dhe me dhjetëra të tjerë në teatër, role që e kanë ngërthyer në celebrimet dhe i kanë sjellë një domin absolut në të gjitha vendet ku frymon kombi shqiptar. Rrjedh nga një familje modeste tiranase, zanatçinjsh, ku dashuria për fëmijët ishte kult, ku varfëria shpesh ngërthehej në luftë të përditshme me mbijetesën. Shqipëria, një vend i varfër, e ronitur nga krizat dhe e rraskapitur nga luftërat. Në një kohë të pakohë, ku të siguroje bukën e fëmijëve duhet të përballeshe fort për të ngadhënjyer mbi vdekjen. Pikërisht ato kohë, erdhi Reshati në jetë, kur pllakoste varfëria materiale, por në kulmin e dashurisë njerëzore dhe vlerave humane.

Në familjen ku erdhi në jetë, mësoi diferencën e të mirës dhe të keqes, të vesit dhe virtytit, të bukurisë dhe shëmtisë, pra duke mbetur gjithënjë përjetësisht, pinjoll i një kulture dinjitoze dhe të ndershme. Nevoja ekonomike e familjes, e shtyu të ndërmerrte zanatin e mekanikut, por njëherazi brenda vetes i kish buluritur një syth shpëthyes drejt artit. Asnjë në familje nuk kishte prirje të tilla. Mahnitej nga kinemaja dhe me ato pak monedha që mundej të siguronte nga zemërgjerësia e xhaxhait të tij, ndiqte filmat e kohës. Joshej nga loja e aktorëve avangardë të teatrit.

Konkurron në Institutin e Arteve në vitin 1961. Fiton dhe nis për të udha e bukur dhe e vështirë drejt artit. Natyra e tij rebele e kishte pak të vështirë të zbutej nga disiplina e të qenit aktor. Qe mësuar të ishte i lirë dhe nazik. Por magjia e artit vezullonte si një dashuri që e mbushte, që i jepte jetë, që e shkundte me zulmë botën e tij. Teatri u bë tempulli, ku ai bridhte me imagjinatën e tij. Ishte për të një botë e magjishme që e tronditi, e xhelozoi, e dashuroi me gjak e me shpirt.

Vështirësitë ndonjëherë ishin absurde, kërkohej të arrihej e pamundura, absolutja. Fati e ndihmoi të kishte profesor, korifeun e artit shqiptar, Kadri Roshin, dhe më pas kur filloi punë në teatër, të interpretonte me Naim Frashërin, Sandër Prosin, Violeta Manushin, M. Logoreci, P. Gjoka, S. Pitarka, P. Mima, L. Qerimi, D. Pelingu, Gj. Karma, M. Xhepa, R.Trebicka, L.Filipi e plot talente të tjerë të artit shqiptar.

Kishte një nur plot hirë skenik, e personalitet, që e bëri të ndriste në artin e shtatë. Zotëronte trekëndëshin e artë, pamjen, zërin dhe interpretimin drithërues. Aftësia që kishte për të zënë miq, e ndihmoi, të qëmtonte karaktere. Shoqërimi, qëndrimi dhe bisedat me njerëz të profesioneve dhe moshave të ndryshme, psikologjia dhe mentaliteti i tyre, e bënë që të qëmtonte dhe sjellje të njerëzve të thjeshtë, duke krijuar një bagazh eksperiencash të pafundme në rolet e tij.

Kështu, ai do të vinte i besueshëm e i ngrohtë, në portretizimin e Isa Boletinit në filmin “Nëntori i dytë”, falë dhe ngjashmërisë, e përshtatshmërisë së tij fizike me këtë figurë të madhe historike.Me vërtetësi erdhi Reshati te mësuesi në filmin “Tinguj lufte”, Adnan Kodra tek “Hije që mbeten pas”. Por të mahnitshme kanë qenë dhe realizimet e roleve negative si Sami Ameni. Një figurë e arritur që na ka bërë të mendojmë thellë në kohën e diktaturës. Apo Ahmeti, te “Dora e ngrohtë”, babai tipik i një familjeje shqiptare. I ashpër, por me dashuri të sinqertë për familjen që ka ndërtuar.

Ka edhe shumë role të tjerë në teatër e kinematografi, që me të vërtetë kanë lënë gjurmë në spektatorët e teatrit dhe të filmit. Ky libër është një jetëshkrim i thjeshtë i aktorit brilant, që diti të shkëlqejë me artin e tij. Është një histori e dy kohërave, me zullumet e komunizmit dhe ato të demokracisë. Reshati rrëfen shkëlqimin e artit shqiptar, por dhe venitjen e tij fatkeqe… Qenia e tij me të gjitha dimensionet e njeriut, udhëton tek prejardhja, fëmijëria, mosha e jeta e trazuar, dashuria, martesa, fëmijët, tek të gjitha ato periudha, e momente të jetës, që përbëjnë jetën e njeriut.

Intimitete nga jeta e tij personale, këndvështrime mbi jetën, sqima për të bukurën dhe një respekt I pafundmë për artdashësin, janë ato që e shtynë, që e motivuan dhe për të cilin krijoi dhe shkëlqeu.
Albert Zholi

Loading...