Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për situatën e Covid-19 në Kosovë ku dhe ka thënë se do të merren masa të reja për shkak të përkeqësimit të situatës.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, kreu i qeverisë u shpreh se masa të reja anti-Covid do të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.
Më tej ai tha se numri të infektuarve dhe të shtruarve në spitale po rritet në ritme të larta dhe se kapacitetet spitalore e kanë të pamundur që t’ia dalin.
“Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë.
Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona.
Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike.
I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi”, ka thënë ai.
Më poshtë Hoti deklaroi se nuk e ka përjashtuar edhe izolimin total të vendit nëse do të jetë e nevojshme.
Ai gjithashtu tha se situata është e pamundur që të përballohet pasi gjendja e spitaleve në të gjithë vendin po shkon në plotësim të shtretërve.
“Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën.
Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale”, u shpreh Hoti.