Shqipëria e Kosova do të përballet nesër në një ndeshje vëllazëroren që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.
Në lidhje me këtë përballje ka folur edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili në një lidhje live për emisionin “Sport News” në “News 24”, analizoi këtë përballje, teksa foli edhe për situatën aktuale dhe cilësitë e Shqipërisë, duke u shprehur:
“Kam qenë i pranishëm në ndeshjen e parë kur Shqipëria humbi 3:0. Kosova sa ishte krijuar si skuadër dhe ishe një rezultat surprizë. Kosova ka bërë hapa përpara dhe është rritur ndjeshëm së fundmi. Gjithmonë mbetet një vëllazërore. Pavarësisht se në fushë, edhe kur luanim në lagje, ziheshim më shumë me vëllain sesa me kundërshtarët.
Ne duhet të kishim një Kombëtare, por është akoma herët. Ka pasur prurje të mjaftueshme talentesh. Edhe kampionatet përkatëse kanë pasur hapa përpara. Prurjet janë aty, shpresoj që të kemi rezultate.Në ndeshjet miqësore mund të bësh edhe eksperimente.
Reja është shumë trajner i mirë dhe me eksperiencë. Di çfarë bën dhe çfarë do të testojë. Situata nuk është optimale për çështjen e COVID-it. Lojtarët e rinj mund të provohen dhe vlerësohen. Nuk ka rëndësi nëse humb apo del barazim.
Në grumbullimin që kaloi ka pasur vështirësi. Në Gjermani, disa skuadra nuk i kanë lënë lojtarët t’i bashkohen kombëtareve. Është situatë e vështirë, ka probleme më të mëdha për momentin në botë se futbolli.
Është mirë që edhe lojtarët nga kampionati shqiptar të tregojnë vlerën e tyre me Kombëtaren.
Ndeshjet e fundit i kam parë, për fatin e keq nuk kemi pasur fat që të shënojmë, pavarësisht se kemi qenë superiorë. Ka shumë lojtarë të rinj që premtojnë për të ardhmen. Kam shpresa që mund të arrijmë vendin e parë. E kemi vetë në dorë, shpresoj të marrim 2 fitore.
Jemi favoritë të grupit. Kemi akoma shanse. Është e rëndësishme të kemi ecuri dhe vazhdueshmëri. Reja është trajneri i duhur, shpresoj ta çoja Kombëtaren përpara.
Duhet të krijojmë stabilitet edhe me këta djem të rinj. Kam shpresë që në një të ardhme ne do të kemi një ekip edhe më të mirë. Për momentin nuk janë ndërthurur dhe aq mirë fazat e lojës. Është situatë shumë e rëndë, e di çdo njeri. Nuk është favor për ne”, u shpreh Altin Lala.