Tre mësues kanë mbyllur sytë për shkak të koronavirusit në 24 orët e fundit. Dy nga të cilët banues në Qarkun e Elbasanit.
Fatmir Sula mësuesi 62 vjeçar nga Peqini jepte mësim në shkollën “Bishqem”.
Lajmin e humbjes së tij e publikoi në “Facebook” shkolla ku ai kontribuoi për disa vite. Mes të tjerash shkruhen dhe disa fjalë të ndjera.
“Drita e shpirtit te tij u largua fizikisht,po kurrë nuk do të largohet nga brezat e nxënësve që ka lënë pas.”
Burime të ABC tregojnë se Sula prej më shumë se 10 ditësh trajtohej në spitalin Covid 2.
Në mesditën e së mërkurës edhe një mësuese nga Elbasani e shtruar prej 2 javësh në spitalin “Shefqet Ndroqi” ndërroi jetë në moshën 62 vjeçare. Të dy mësuesit e qarkut të Elbasanit vuanin edhe nga sëmundje të tjera.
Në 24 orët e fundit humbi jetën dhe një mësues nga Fieri. Vdekjen e Gramoz Abedinaj e lajmëroi në “Facebook” Ministria e Arsimit, Evis Kushi mes të tjerash ajo vlerësoi dhe kontributin e tij në mësimdhënie.
60 vjeçari jepte mësim në shkollën e Roskovecit. Që prej fillimit të pandemisë betejën me Covid e kanë humbur dhe mësues të tjerë.
Një prej tyre ishte dhe Nardi Xhemollari nga Pogradeci, I cili ndërroi jetën dy ditë përpara se të niste viti shkollor në 14 shtator. 47 vjeçari jepet lëndën e matematikës në shkollën e mesme të fshatit Hudënisht. Për kolegët dhe nxënësit e tij kjo ishte një vdekje shokuese.
“U shtangëm. Na erdhi sikur na ra një rrufe. Ishte shembull i figurës së mësuesit”.
Mësuesi i matematikës nuk vuante nga asnjë sëmundje, qëndroi rreth 3 javë në spitalin Covid 2, por nuk ia doli dot të mbijetonte.
Ndërsa në 27 korrik humbi jetën mësuesi i Medresesë të Shkodrës, Gazjon Rusi.
Mësuesi i matematikës mbylli sytë në moshën 39 vjeçare. Ai vuante dhe nga astma.
Shëndeti i tij u përkeqësua në mënyrë të menjëhershme dhe miqtë e tij një ditë para se ai të ndërronte jetë nisën të mbledhin fonde që ai të mjekohej në Turqi.