Tifozët e Barcelonës dëgjuan pak ditë më parë presidentin e përkohshëm, Karles Tuske’ se klubi mitik mund të kalonte nën administrim të kontrolluar, por shumëkush e cilësoi si një periudhë tranzicioni.
Por tani ekipi katalanas ka akumuluar borxhe të papërballueshme sipas ekspertëve, dhe situata financiare ekspozon gjigantët e La Ligës, në buzë të një humnere.
Barcelona ka plot 820 milionë euro borxhe dhe klubi kërcënohet seriozisht nga falimentimi. Skuadra është në telashe të mëdha sepse për shkak të pandemisë së virusit koronar, të ardhurat nga biletat dhe ardhja e turistëve në “Camp Nou” u zvogëluan ndjeshëm.
Përveç kësaj ekipi u eliminua në çerekfinale të Champions League nga Bayern sezonin e kaluar (8:2). Fitimet e saj u reduktuan maksimalisht.
Gjithashtu, Barcelona ka një krizë tjetër pasi ish presidenti Josep Maria Bartomeu ra dakord me bankën amerikane “Goldman Sachs” për një hua prej 800 milionë euro për rindërtimin e stadiumit. Nëse marrëveshja aktivizohet, borxhi do të rritet në 1.6 miliardë euro dhe kjo do të bëhet e papërballueshme për skuadrën.
Si të mos mjaftonin skandalet dhe dorëheqja e presidentit, së fundmi dështoi dhe akordi me lojtarët për uljen e pagave te skuadra blaugrana.