Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se në vitin 2020 janë regjistruar rezultatet më të larta të policisë në luftën kundër kanabisit në 30 vitet e fundit.
Gjatë një interpelance të thirrur nga deputetët e opozitës, Lleshaj tha se policia ka shtuar nivelin e kontrolleve në territor, ndërkohë që ka marrë më shumë hetime proaktive. Sa i përket këtyre të fundit, Lleshaj tha se për vitin 2020 janë 106 të tilla, ndërsa në 2013-ën kanë qenë 3 deri në 4 hetme proaktive.
“Sa i përket kanabisit ju referuat Lazaratit dhe bëtë mirë që iu referuat Lazaratit si një histori e turpshme dhe dua t’ju them që lufta kundër kanabisit ka shënuar rezultatet më të larta në tre dekadat e fundit të regjistruara ndonjëherë. Kjo referuar shifrave të Policisë Shqiptare, shifrave të policive europiane. Në vitin 2020 policia shqiptare ka shtuar nivelin e kontrollit në territor, ka ndërmarrë më shumë hetime proaktive si dhe bashkëpunuar më fort me partnerët e saj ndërkombëtarë. 106 hetime proaktive janë zhvilluar nga policia në këtë vit, nga 73 zhvilluar një vit më parë, ndërkohë po të shkojmë tek viti 2013 jemi në nivelin e 3-4 hetimeve proaaktive në vit. Goditjet frontale, shtimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi efektiv me partnerët ndërkombëtarë si dhe hetimet e mëdha proaktive kanë sjellë rezultate të padiskutueshme”, tha Lleshaj.
Ministri u shpreh se këtë viti janë asgjësuar më shumë bimë narkotike se një vit më parë. Lleshaj tha se niveli i prodhimit dhe trafikimit të kanabisit ka rënë në minimumet historike.
“Sivjet janë asgjësuar më shumë bimë narkotike se një vit më parë për arsyet se sivjet ka pasur shumë herë më tepër kontroll dhe shumë më tepër hetime. Sasitë e kanabisit dhe treguesi që mat se a ka më shumë kanabis në tregun shqiptar sot dhe në tregun ndërkombëtar sot apo dje krahasuar me të kaluarën vërtetohet shumë lehtë me sasitë që kapen në destinacionet e trafikut të Shqipërisë dhe këto tregje janë Italia dhe Greqia. Për vitin 2020 autoritet italiane kanë kapur vetëm 911 kg kanabis me origjinë nga Shqipëria. Kaq. Vetëm 911 kg. Po ashtu shifrat janë në nivelet më të ulëta në Greqi, në Mal të Zi dhe në të gjitha vendet e tjera duke dëshmuar se niveli i prodhimit dhe i trafikimit të kanabisit ka rënë në minimumet historike. Mos harroni që kanabisi ka qenë një markë e njohur në Europë. Lazarati ka qenë një markë e njohur edhe në menutë e restoranteve dhe baret e Holandës”, tha Lleshaj.