Kryeministri Edi Rama në konferencën e zhvilluar këtë të martë me fokus ekonominë, u shpreh se infrastruktura e ujit të pijshëm është një betejë e shumë dekadave. Sipas tij, situata e rëndë me këtë infrastrukturë është e trashëguar, teksa theksoi se rrjetet e ujësjellësit janë të ndërtuara që në vitet 60-70.
Ai deklaroi se brenda pranverës do të hapen 70 kantiere të tjera që do të garantojnë 24 orë ujë të pijshëm.
“Bota ka shkuar në Hënë me kohë, por në sistemin tonë të ujësjellësve, kemi një pasqyrë shumë të posaçme në raport me botën por jo me rajonin. Rrjetet e trashëguara janë të trashëguara që në vitit ’60. As në komunizëm nuk është garantuar uji 24 orë, apo në çdo pikë banimi të Shqipërisë. Për më tepër, ne për 25 vjet, pas rënies së komunizmit, kemi filluar të prekim një sistem furnizimi me ujë, ku kemi pasur dhe akoma sot aty ku vazhdon puna, ka depo dhe tubacione të viteve ‘60-70”, tha Rama.