Me 3 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, 11 pikë në total në 6 ndeshje, Shqipëria u kualifikua si e para në Ligën C. Ky ishte objektivi i vetëm, i vendosur që në ditën e parë kur u hodh shorti. Kuqezinjtë vuajtën jo pak në këtë grup, pavarësisht emrave të rivalëve, u deshën dy fitore në dy sfidat e fundit për të arritur këtë qëllim. 8 gola të shënuar dhe 4 të pësuar në 6 ndeshje janë shifra të pranueshme, pavarësisht se Bjellorusia në sfidën e fundit nxori në pah disa probleme të prapavijë.
Mbrojtja mbase është reparti i fundit që shqetëson Edy Reja, edhe në këtë sfidë ishte i detyruar të bënte pa dy nga titullarët më të rëndësishëm Kumbulla dhe Hysaj. Duke iu referuar të gjithë këtyre faktorëve, Shqipëria mund të buzëqesh pasi ky grup vetëm mund të përmirësohet. Ky ishte një sukses shumë i rëndësishëm për ti dhënë besim lojtarëve të ri, grupit dhe trajnerit Edy Reja pasi në të ardhmen na presin sfida dhe objektiv akoma më të rëndësishëm.
Kreu i grupit i dhuron kuqezinjve një pozicion më të mirë në edicion e radhës në Ligën e Kombeve, kalojnë në Ligën B ndërsa sipas të gjithë projeksioneve një pozicionim më të mirë edhe në shortin që do të hidhet për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”.